GJERMANI – Steinmeier: Shkoni dhe votoni, shprehni mendimin për të ardhmen e vendit

BERLIN, 23 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka votuar në zgjedhjet e parakohshme të Gjermanisë, duke u kërkuar qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë ndërsa vendi përgatitet për një lëvizje djathtas.
Steinmeier, i cili hodhi votën së bashku me gruan e tij Elke Büdenbender në një qendër votimi në distriktin jugperëndimor të Berlinit, Zehlendorf, falënderoi punonjësit e zgjedhjeve dhe u bëri thirrje gjermanëve të votojnë.
“Përdorni të drejtën tuaj për të votuar, shkoni dhe votoni, shprehni mendimin tuaj për të ardhmen e vendit tonë dhe votoni duke ditur se vota juaj mund të jetë vendimtare,” tha ai në shkollën fillore Erich Kästner sot në mëngjes.
Steinmeier falënderoi gjithashtu zyrtaren federale të zgjedhjeve Ruth Brand, e cila e mirëpriti atë në qendrën e votimit, duke nderuar “përpjekjet e mëdha” që ishin bërë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme pas rënies së qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë në nëntor. /os/