“Karnavalet” vijnë në TKOB me regjinë e Inva Mulës dhe një kast të ri artistësh

TIRANË, 19 mars/ATSH/ “Karnavalet” vijnë për tre net rresht në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit. Artistët janë duke bërë provat e fundit përpara shfaqjeve të planifikuara për në datat 24, 25 dhe 26 mars.
47 vite më parë, më 5 shkurt 1978, Teatri i Operës dhe Baletit shfaqi premierën e operetës “Karnavalet”, me muzikë të Avni Mulës, libret të Luigj Gurakuqit dhe dirigjim të Fiqiri Krajës. Kjo vepër erdhi në skenë me regji të Dhimitër Pecanit, ndërsa dekoret dhe kostumet u realizuan nga Ksenofon Dilo e Hysen Devolli.
Atmosfera gazmore e operetës erdhi nën interpretimin e artistëve të njohur të TKOBAP-së si: Rozmari Jorganxhi, Xhovana Doko, Tatjana Kora, Shqipe Zani, Emine Gjata, Vangjo Kosta, Janaq Mici, Luiza Papa, Zeliha Sina, Hysen Koçia, Gjergj Sulioti, Ibrahim Tukiçi, Guri Kamenica, Agim Quku, Bedri Belba, Lefter Besho, Gaqo Zdruli, Ndrek Shkjezi, Stefi Panariti dhe Qirjako Qiramixhi.
Ndërsa kësaj here, “Karnavalet” do të vijnë me regjinë e Inva Mulës, dirigjimin e Elda Laros dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi. Në rolet kryesore do të jenë Solen Alla, Ivana Hoxha, Vikena Kamenica, Ramona Tullumani, Armando Likaj, Dorina Selimaj, Renisa Laçka, Erlind Zeraliu, Artur Vera etj.
Publiku do të ndjekë nga afër përpjekjet e Nikollaqit dhe Olimbisë, për t’i gjetur një bashkëshort të denjë, vajzës së tyre 30-vjeçare, Afrovitit. Përzgjedhja nuk është e lehtë, sepse Olimbia ka një kërkesë të panegociueshme: përveç prikës, vajza duhet të ketë edhe një piano, por Nikollaqi nuk i lëshon lehtë nga dora 1000 napolona.
/a.f/