E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projekti “Klasa e Xhubletës”, gra dhe vajza të Malësisë së Madhe trajnohen për bërjen e saj

Me synim ruajtjen dhe trashëgiminë e Xhubletës, në Koplik të Malësisë së Madhe është hapur “Klasa e Xhubletës”.

Ky projekt, i realizuar nga UNESCO dhe Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe ka mbledhur fillimisht 13 gra dhe vajza nga zona, të cilat po mësojnë teknikën e ndërlikuar të krijimit të kësaj veshjeje unike tradicionale.

Mjeshtrja File Kola, e vetmja artizane e mbetur në Malësinë e Madhe që e zotëron dijbërjen e Xhubletës, po realizon trajnim.

“Unë jam dijbërëse të Xhubletës. Jam përkushtuar të jap më të mirën që edhe gratë dhe vajzat që trajnojmë të marrin dijen e punimit të veshjes”, tha mjehstrja Kola.

Pjesëmarrëset e trajnimit tashmë kanë përvetësuar disa nga teknikat kryesore të punës dhe shprehen të entuziazmuara për të çuar përpara këtë zanat të rrallë.

“Është një profesion që e kam me shumë pasion. Kemi mësuar të gjitha proceset”, tha nxënësja Enduela Kola  

“Nënat tona i kanë përdorur gjithmonë Xhubletat, ka qenë shumë e bukur. Ato i kanë punuar vetë. Kisha qejf të dija si i kanë bërë”, tha nxënësja Ina Shoshi.

Projekti “Klasa e Xhubletës”  jo vetëm që ofron mundësi punësimi për gratë dhe vajzat e zonës, por gjithashtu garanton vijimësinë e traditës së bërjes së xhubletës, një nga veshjet më karakteristike të grave të veriut të Shqipërisë.

Xhubleta, një trashëgimi e çmuar kulturore, u mor nën mbrojtje nga UNESCO në vitin 2022, duke i dhënë asaj vlerësimin e duhur si një simbol i identitetit shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›