Kartat, nisin aplikimet edhe në burgje
TIRANE- Nis procesi i aplikimit për kartat e identitetit në burgje. Të parët të paraburgosur që kanë dhënë shenjat e gishtërinjve dhe kanë bërë fotot ishin të izoluarit në burgun 313 në Tiranë. Kreu i paraburgimit ‘Jordan Misja’, Shkëlqim Kalemi kanë thënë se procesi i aplikimit në këtë burg do të përfundojë gjatë ditës së sotme. Ai pohoi se 420 të paraburgosurit nuk kanë paguar asnjë lekë për të pasur kartën e identitetit, pasi kuponët janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Një grup pune me punonjës të firmës ‘Sagem’ dhe Ministrisë së Brendshme, me aparaturat e sjella nga ana e tyre, kanë bërë fotot për të paraburgosurit dhe u kanë marë shenjat e gishtërinjve.
Të hënën, pritet të nisë aplikimi në burgun e sigurisë së lartë Peqin, ku vuajnë dënimin 776 persona, si dhe në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Në burgjet e tjera, si në Rrogozhinë, Lushnjë, etj ky proces do të vazhdojë përgjatë ditës së sotme. Shqetësimin për mospajisjen me karta të të dënuarve e ngriti pak javë më parë Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i cili u rekomandoi Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme të merreshin masa për zgjidhjen e këtij problemi.
Nuk vonuan shumë ditë, kur kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibra nënshkroi marrëveshjen me Ministrinë e Brendshme dhe firmën ‘Sagem’, që ka fituar tenderin për prodhimin e kartave. Procesi i aplikimit tashmë ka nisur dhe pritet të përfundojë brenda harkut kohor të një jave.
(s.g/BalkanWeb)