Kartingu shqiptar ngre një brez të ri kampionësh. Rohan Yzeiraj dhe Samuel Berisha, të vegjlit me pasionin e madh për Formula 1

Në kartingun shqiptar po lind një brez i ri kampionësh të vegjël, dhe dy emra spikasin veçanërisht, Rohan Yzeiraj, 10 vjeç, dhe Samuel Berisha, 12 vjeç.
Rohan u bë i njohur që në moshën 9-vjeçare, kur përfaqësoi Shqipërinë në FIA Motorsport Games në Valencia, ku u rendit i 13-të mes 44 shteteve pjesëmarrëse. Me shpejtësi që arrin deri në 126 km/h dhe stërvitje intensive, ai është përzgjedhur edhe nga vetë Kimi Raikkonen për t’u bërë pjesë e akademisë së tij.
Ndërkohë, Samuel Berisha ka nisur garat në Shqipëri dhe mban aktualisht rekordin më të shpejtë të pistës në Karting Tirana, duke treguar potencial të madh dhe pasion për sportin.
Gentjan Shaqiri, kampion evropian në FIA CEZ, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, vlerësoi talentin dhe stërvitjen e rregullt të dy të vegjëlve në motorsport.
“Këto janë djem shumë të shpejtë, dhe mënyra më e mirë për t’i ndihmuar është që ata të zhvillojnë një sport profesional. Rohan këtë vit garoi në ROTAX MAX Itali, ku sfidat ishin shumë të forta. Vitin tjetër do të jenë sërish pjesëmarrës në sfidën botërore FIA Motorsport. Është një sport ekstrem dhe prindërit ekspozohen në shumë rreziqe, por duhet admiruar mënyra si ata mbështesin fëmijët e tyre në këtë iniciativë.”
Po si shikohet ky sport ekstrem dhe shpejtësi të lartë në sytë e dy të vegjëlve? Për Rohan Yzeiraj dhe Samuel Berisha, kartingu nuk është vetëm një garë me makina, por një aventurë e madhe që i sfidon dhe i mban të fokusuar. Edhe pse janë vetëm 10 dhe 12 vjeç, ata e shohin këtë sport me entuziazëm dhe kurajo.
“Nuk kam frikë nga shpejtësia. Kur makina shkon me 120 km/h ndjen adrenalinë, por gjithmonë duhet të jesh i kujdesshëm dhe i fokusuar. Për mua, është argëtim dhe sfidë në të njëjtën kohë”, u shpreh Rohani
“Kur garoj, mësoj të jem i fokusuar. Ëndrra ime është Formula 1 dhe për këtë duhet të punoj shumë çdo ditë”, tha Samueli.
Të dy të vegjlit e admirojnë aventurën dhe adrenalinën që sjell shpejtësia, por e kuptojnë se për të arritur majat, duhen stërvitje intensive, disiplinë dhe mbështetje nga prindërit. Për ta, sporti ekstrem nuk është rrezik, por një mundësi për të mësuar, për të fituar përvojë dhe për të ndjekur ëndrrën e tyre të madhe.
“Kam nisur që në moshë të vogël. Në fillim garoja me kushërinjtë dhe aty kuptova që më pëlqen shumë. Stërvitem tre orë në ditë, plus një orë palestër. Shpejtësinë më të madhe që kam arritur është 126 km/h dhe është shumë emocionuese. Nuk kam frikë. Një ditë dua të bëhem pilot GT3 dhe më pas të arrij në Formula 1”, tha Rohani.
“Në fillim u ftova për disa testime dhe iu luta babit të më lejonte ta provoja. Kur panë se më pëlqente ky sport, fillova të stërvitem çdo javë. Në një kampionat të zhvilluar në Karting Tirana dola e para dhe aty u vërejt talenti im. Mund të stërvitem 2-3 orë në ditë dhe bëj edhe afterschool, pa u shpërqendruar nga shkolla. Ëndrra ime është të bëhem kampion në Formula 1. Edhe kur ndodhin vështirësi, nuk duhet të heqësh dorë nga ëndrra”, u shpreh Samueli.
Ky brez i ri i pilotëve premton të shkëlqejë jo vetëm në pistat shqiptare, por edhe në skenën ndërkombëtare të motorsportit, duke treguar që talenti nuk njeh kufij dhe pasioni i të rinjve shqiptarë po merr hov.
/rtsh.al/