“Mirëmëngjesi Shqipëri”, Erand Sojli në “Fest 64”: Festivali, një emocion që s’do ta harroj

Aktori i njohur Erand Sojli ishte i ftuar këtë mëngjes në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSh1, ku foli për herë të parë publikisht mbi pasionin e tij të hershëm për muzikën dhe pjesëmarrjen në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës.
“Sot jam për herë të parë për të folur për një pasion timin të fshehur sigurisht në një institucion kaq të rëndësishëm në vend. Jam një natyrë shumë shpirtërore dhe nuk kam shumë rëndësi se çfarë zhanri ndjek se sa ka rëndësi të gjej mënyra për tu shprehur. Për të thënë dhe unë fjalën time në raport me realitetin dhe për çdo gjë që meriton ti këndohet. Ky pasion ka lindur te unë që fëmijë dhe modeli im ka qenë im atë”, u shpreh Sojli.
Ai tregoi se kënga me të cilën konkurron në “Fest 64” është një pop-baladë që i përshtatet më së miri emocionalitetit të tij.
“Mendoj që këtë herë është dalja ime më e vështirë sepse unë kur dal si aktor jam nën petkun e një roli dhe ngjyrën e një personazhi të caktuar ndërsa këtë herë jam unë që performojë në skenë edhe pse nuk është i imi për sytë e audiencës. Kënga është një pop-baladë dhe është një zhanër që më përshtatet dhe më pëlqen më shumë emocion se sa zhanret e tjerë që janë të njohura. Kënga e solla bashkë më bandin tim dhe ndalova tek kjo këngë për ta çuar në festival”, tha ai.
Sojli zbuloi gjithashtu se është vetë kompozitor dhe autor i tekstit të këngës që do të këndojë. Për të, përvoja me orkestrën dhe artistët e mëdhenj të festivalit ka qenë një emocion i paharrueshëm.
“Kompozitori i këngës jam unë, edhe autori i tekstit jam unë. Festivali është fjalë e madhe, emocionin e vërtet e pata ditën e parë të provave dhe të them të drejtën nuk e kam parë veten me një orkestër kaq të madhe, emra të mëdhenj ishte një impakt që s’do ta harroj”, theksoi aktori.
/rtsh.al/