E Martë, 3 Nëntor 2026

“Kasaphanë me pronat në Himarë”, Vangjel Dule apel drejtësisë: Hetoni Edi Ramën

Gjithçka po ndodh në Himarë për drejtimin e saj, për kryetarin e PBDNj, Vangjel Dule, tregon dy standardet e qeverisë Rama. I bindur se arrestimi i socialistit Jorgo Goro, është skemë e Edi Ramës për t’i thënë BE se drejtësia vepron njësoj për të gjithë, zoti Dule beson se skenari i shërben Edi Ramës për të shpëtuar vetë nga drejtësia.

“Akuza për Goron është ledhatim, në krahasim me atë që ka ndodhur në Himarë. Për ne, politikisht dhe penalisht është përgjegjës kryeministri. Edhe afera konkrete mban firmën e tij. Kemi gjueti shtrigash me nivele më të ulëta qeveritare që të mos preket ai që mban përgjegjësi kryesore, që eshtë zoti Rama.”- tha zoti Dule në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”.

Në lidhje me çështjen e dhënies së pronësisë mbi dokumenta të fallsifikuar në Himarë, për të cilën u arrestua Jorgo Goro, kreu i PBDNJ-së, megjithëse shpreh hapur mosbesimin ndaj drejtesisë, ka një kërkesë.

“Kësaj çështje i duhet shkuar deri në fund. Është vetëm maja e ajsbergut denoncimi i zotit Beleri. Në lidhje me tjetërsinin e pronave, ka nevojë jetike për transprarencë. Ajo që ka ndodhur me pronat në bregdetin e Jonit dhe, veçanërisht në Bashkinë Himarë në  këto 12-13 vite, është kasaphanë.”- tha zoti Dule.

Për të treguar sesi veprohet me dy standarde në Himarë, Kryetari i PBDNJ-së iu referua mënyrës së arrestimit të Goros dhe Belerit.

“Askush nuk e pa arrestimin e zotit Goro, pasi ndodhi në diskrecion të plotë. Ndërsa Beleri transmetohej në kohë reale, një shkelje flagrante e çdo norme të shtetit të së drejtës.  Goros iu dha edhe mundësia të japë dorëheqjen. Përveçse kemi një akuzë ledhatuese, mundësia e dorëheqjes është favori që i krijoi Rama një bashkëpunëtori verbërisht të bindur dhe shërbyes të denjë për interesat okulte të Ramës në Himarë”- u shpreh Kryetari i PBDNJ-së më RTSH. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›