“Pa betimin e Belerit nuk ka zgjidhje për Himarën”. Dule mesazh në greqisht për SHBA dhe BE

Asnjë akt, përveç betimit të Fredi Belerit nuk konsiderohet legjitim nga PBDNJ.
“Në Himarë ka kryebashkiak të zgjedhur që, për interesat e zotit Rama, i shkelet e drejta kushtetuese e zgjedhjes, e cila nis me kandidimin dhe mbaron me betimin”- tha në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili përmendi tre faktorë kyçë të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe manipulimit të procesit ndaj tij.
Zoti Dule tha se Fredi Beleri i mbaj në paraburgim me dëshmi të falsifikuar penaliteti, nuk i njihet e drejta e prezumimit të pafajësisë për të bërë betimin dhe nuk i është dhënë e drejtë të njihet me përgjimet audio, në bazë të të cilave është arrestuar pak ditë para zgjedhjeve.
Me mosbesim të hapur tek sistemi ynë i drejtësisë në lidhje me këtë proces, kryetari i PBDNJ-së, beson se zgjidhja e vetme është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
“Nëse realisht dëshirojmë normalitet në Bashkinë e Himarës, duhet të kontribuojmë për të vërtetën. Nuk besoj tek e vërteta e këtij procesi në sistemin tonë gjyqësor. Do të ishte e ndershme për të gjithë që të marrim vendimet pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Aty ndahet e vërteta”, tha zoti Dule, në përgjigje të pyetjes, nëse PBDNJ është gati të shkojë në zgjedhje të reja në Himarë me një kandidat të ri, pas vendimit të formës së prerë në Apel.
Kryeministri Rama ka deklaruar se do të vendosë për shkarkimin e Fredi Belerit vetëm kur Apeli të marrë vendim.
“Ne kërkojmë që zoti Beleri të betohet dje, jo nesër. Nuk mundet që zgjedhjet, kurdo që të shpallen, nëse do të shpallen, të jenë legjitime, nëse nuk u paraprin betimi i zotit Beleri. Strumbullari i zgjidhjes në Himarë është betimi i zotit Beleri. Ai as nuk mund të shkarkohet, pas vendimit të formës së prerë, sepse duhet të betohet. Pa betimin e zotit Beleri nuk ka legjitimitet, çdo zgjidhje tjetër është në kundërshtim me kushtetutën.”- u shpreh zoti Dule.
Kur gazetarja Elona Meço i kujtoi se në të kaluarën SHBA dhe BE i kanë njohur zgjedhjet me një palë, zoti Dule kishte një mesazh në greqisht për të gjithë: “Një thënie e lashtë greke: Gabimi i njëjtë për të dytën herë nuk është cilësi e njeriut të mençur dhe as i një institucioni të mençur”- tha zoti Dule në RTSH.
/rtsh.al/