E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaseta e përsëritur e premtimeve

May-9-16-42-24foto7

Nga Klaudio Çepani

Ditët e fundit vendin e kanë kapluar ethet e fushatës ndoshta më interesante që është bërë në këto 20 vitet e tranzicionit shqiptar. Dëgjojmë kudo trumbetimin mediatik të ngjyrave të ndryshme politike, koalicione të cilave u është diskutuar më shumë numri se sa çkanë brenda, deklaratat janë kudo të servirura me kujdes saqë përnjëmend mendon se janë në koalicione përfaqësi diplomatike me njëra-tjetrën e jo parti politike.

Me pak fjalë një popull i tëri sy e veshë kërkon të ushqehet me platforma politike që më pas të ketë njëfarë ideje se ku duhet ta shkarravitë X-in në atë letrën e gjatë ditën e zgjedhjeve.

Përpos kësaj analize të dukjes, dëshiroj të bëj një analizë të thelbit, e thjeshtëzuar, të di se cilat janë angazhimet konkrete që zotohen se do të ndërmarrin me ardhjen në pushtet, ose dhe me konfigurimin në rastin e qeverisë aktuale dhe a janë këto të bindshme.

Deri tani jam i bindur për rrotacionin e jo konfigurimin dhe për këtë kam një mal me arsye që nuk mund të ri pa i thënë. Nuk mund të rri pasi është në dukje absurde të zotohesh duke mbajtur shënim në letër hallet e qytetarëve e fshatarëve anekënd vendit dhe më pas tu premtosh atyre, pa më të voglin teklif, që këto do të realizohen me të marre edhe një mandat tjetër, a thua se këto tetë vite ishin tetë muaj e qeveria Berisha, ose Berisha vetë, smundi dot ti realizonte.

Në media kemi ndjekur përditë takimet të stilit gju më gju me popullin të kryeministrit në ikje, në karrige të vendosura mbi një shkëmb apo tryeza të shtruara në një serë domatesh, ku individë në dukje fermerë i qajnë me rigorozitet hallet Saliut duke kërkuar atë e këtë, duke shtruar probleme, gjithmonë në lutje të përhershme për të gjetur një zgjidhje që me çshohim do u bënte derman.

Deri në këtë pikë jemi dakord pasi çdokush prej nesh në një përballje me përfaqësuesit e tij këtë do të kërkonte të parën por a duket premtuese mënyra se si kjo platformë u shfaqet? Puna është qe kjo lloj mënyre nuk i përqaset aspak fjalës platformë e kësisoj e humb totalisht seriozitetin e saj.

Berisha nuk bën asnjë prezantim paraprak në këto takime të ndonjë linje se ku do të rrahë programi i të ashtuquajturës aleancë të bollëkut, asnjë strukturim të metodave që do të ndjekë ekonomia dhe zgjidhjen që duhet të marrë papunësia apo edhe fati i integrimit europian të vendit. Vijon me lavdet e arritjeve groteske të këtyre tetë viteve, por argumenti që do të legjitimonte edhe katër vite të ardhshme nuk duket gjëkundi. Mban në dorë një fletore me vija, të cilën demek e ka të mbushur me halle të shqiptarëve, të cilat pa një pa dy do ti zgjidhë dhe vazhdon shkruan e shkruan pa na lënë të kuptojmë asgjë. Pjesa më interesante vjen kur të gjithë qytetarët e rastësishëm në takim mbarojnë së shtruari brengat. Kryeministri shtyp kasetën, e cila është një incizim i keq i gjithë atyre çka fletorja dhe mbi ato arrin të krijojë një të ashtuquajtur program politik të mirëqenies e punësimit dhe çështë më interesantja, ky program ndryshon sa herë ndryshon hambari apo sera ku Saliu bën takimet e këtij lloj formati, pasi aq herë ndryshon edhe formati i halleve të qytetarëve e fshatarëve anekënd vendit.

Në mbështetje të kësaj mosdakordësie me këtë stil të takimeve gjuhë më gjuhë me popullin, para pak ditësh u prononcua edhe akademiku i nderuar Rexhep Qosja, i cili në bashkëbisedimin e tij e përmendi si një metodë të dalë mode dhe një ngërthim të spektrit politik të Saliut ende në të shkuarën.

Për të ky lloj komunikimi me popullin nuk është aspak produktiv dhe se tani politika bashkëkohore ka metoda të reja të komunikimit me publikun dhe votuesit, të cilat përveçse janë më produktive nga ana elektorale janë shëmbëlltyra të emancipimit të partive politike dhe rrjedhimisht edhe të programit të tyre, sigurisht nëse kanë.

Përpos këtyre, ato që i vënë kapakun kësi lloj takimeve janë mitingjet masive të ngjeshura në Pallatin e Kongreseve që bën koalicioni i bollëkut dhe punësimit me mbështetësit e tij.

Aty pastaj dëgjojmë fillimisht prologun e lavdisë së 8 viteve qeverisjeje qe vetëm ata mund ti evidentojnë të cilat prej kohësh na i ka zili gjithë Evropa e sidomos Gjermania, saqë Angela Merkel nuk ka vizituar asnjëherë vendin tonë këto tetë vite pasi i vjen rëndë të shohë si ia kemi marrë në kthese për gjithçka. Pasi përfundon ky prolog (ndërkohë që fermerët rrinë në këmbë të rreshtuar në podium) fillon avazi. Lumi i sharjeve dhe baltosjes së opozitës, si e vetmja shkaktare e dështimeve të deritanishme, bllokuese, keqdashëse ndaj integrimit e gjithfarë epitetesh të tjera që sigurisht kryefjalë kanë Edi Ramen dhe ska si të jetë ndryshe.

Në fund, për ti dhënë një penel shkëlqimi këtij prezantimi serioz e rigoroz të programit, mbyllja bëhet me shprehjen katër vitet e ardhshme fshati do të llamburisë nga dritat porsi qyteti. Shprehje që i ekzalton pa mase fermerët e rreshtuar në podium ndërsa neve na shton dozën e dëshirës për humor. Sigurisht humor për pak minuta pasi në thelb është tragjikomedia më e madhe e aktualitetit tonë politik.

Në mbyllje, mund të themi se në këtë valë të nxehtë të kësaj fushate që tashmë ka filluar furishëm, mbizotëron vetëm një ide, ideja se nevoja e rrotacionit është e menjëhershme, por nevoja akoma më e menjëhershme është ajo e mosbesimit që duhet ti dhurojnë qytetarët stilit gju më gju me popullin.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›