Elitat politike në Maqedoni dhe pasojat për popullin
Në Maqedoni, në këtë vend ballkanik, në të cilin shqiptarët ndajnë fatin me bashkëqytetarë të tjerë, puna dhe përgjegjësia e pushtetarëve, për dallim nga bota normale, demokratike, evropiane, nuk matet sipas ngritjes së nivelit të standardit jetësor apo angazhimit për mirëqenie më të madhe të të gjithëve, por sipas nivelit të propagandës, nacionalizmit, patriotizmit të rremë, urrejtjes...si dhe për nga numri i librezave partiake për krye banori. Në një ambient të tillë, populli është zënë peng, s’mund të frymojë lirshëm...
Në anën tjetër, “kampi” politik e pushtetmbajtës preferon që shqiptarët në Maqedoni të mbeten në gjumë të thellë, në kllapi. Ky kaherë i ka pasur të gatshme projektet ogurzeza për shqiptarët, që është një punë prej djalli. “Kampi”, përplot shfrenime, pandeh se “elitat” politike shqiptare janë shpirtgjerë e bark-unët, pa kurriz e servilë, se duhet t’u jepet një çik pushtet, pak privilegje, pak tenderë - dhe puna është kryer.
Këto “elita”, nganjëherë shtirren se s’dinë se si duhet bërë një politikë e mirëfilltë kombëtare. Por, nga ana tjetër, janë mjeshtër të vërtetë që t’i premtojnë popullit ëndrra të bukura, për të jetuar me shpresa të mëdha në ditë më të mira. Ka të tillë që nuk u besojnë këtyre përrallave të bukura. Ata s’kanë çare tjetër, marrin “strajcën” e mërgimit dhe botën në sy, për të siguruar në tokë të huaj “bukën me shtatë palë kore”, si kanë thënë pararendësit tanë, për kurbetin.
Kjo dyndje e shqiptarëve nëpër meridianë, mjerisht, nuk po deshifrohet si ndonjë “strategji” e imponuar nga të tjerët dhe që është përqafuar (pa vetëdije) nga vetë shqiptarët, mbase të lajthitur nga lakmia për para. Kjo është për analizë më të thellë. Por ne t’i kthehemi botës reale, asaj ç’po ndodh rreth nesh, pranë vatrave tona.
Për pasojë, nga shtegtimet tona nëpër botë për ekzistencë e mirëqenie, kemi vendbanimet tona (rurale) që po zbrazen, të cilat një apo dy dhjetëvjetësha më parë ishin përplot gjallëri, ndërsa tash gjithnjë më shumë po transformohen në mjedise të zvetënuara e të zymta. Ndonëse kanë gjithnjë më shumë objekte të reja dhe infrastrukturë, kanë mbetur me pak shpirt, pa gumëzhimë të zakonshme, të boshatisura, shkolla pa nxënës, pa rininë - pjesën më vitale të kombit.
Ky skenar i kurdisur nga një dorë “e fshehtë”, po na errëson mendjen dhe po e tret indin kombëtar, pa hetuar, shkallë-shkallë, hap pas hapi, pa e parë fundin e tij... Ky erozion i mendjes, i imponuar djallëzisht nga institucione të huaja akademike, po kalon pa shqetësime më të mëdha nga ata shqiptarë që kanë obligim moral, përgjegjësi konkrete dhe paga që të përkujdesen për këtë dyndje “moderne” dhe këtë “spastrim etnik” të tokave arbërore.
Shpesh kërkojmë “fajtorin” aty ku shikimi na është ngulitur kaherë, por fare pak aty ku nuk pandehim se mund të jetë. Një pjesë e “elitës” politike po e shfrytëzon popullin si pronë të saj private, “si Sulltani, haremin”, nënçmojnë inteligjencën e tij dhe transformon atë në një “objekt” manipulimi. Shfrytëzojnë, shpesh edhe me perfiditet, forcën e tij, për përfitime të ngushta pushtetmbajtëse. Mbi të gjitha, populli beson fuqishëm në “ajkën” e vet, ndonëse shpesh mbetet shumë i dëshpëruar. Defekti i këtij populli edhe më tej mbetet kujtesa e mjegulluar për pësimet, duke mos nxjerrë prej tyre mësime.