Kaso: Vendimi i Gjykatës së Lartë për Salianjin, ridënim politik

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso tha sot se “PD e konsideron si ridënim të deputetit demokrat Ervin Salianji vendimin e Gjykatës së Lartë të marrë sot në presionin dhe urdhrat e Edi Ramës”.
Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm që e dënoi me një vit burg për kallëzim të rremë, në lidhje me dosjen “Babalja”.
Në një deklaratë për shtyp Kaso theksoi se “kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteteve në Shqipëri, të cilat i ka fshirë Edi Rama me një të rënë të lapsit”.
“Partia Demokratike shpreh edhe njëherë mbështetjen për deputetin e saj dhe për çdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit. PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli”, tha Kaso.
/k.s/j.p/