Katalonia dridh Spanjën

Kur të martën, me rastin e Diadas, Ditës Kombëtare të Katalonisë, më shumë se 1.5 milionë njerëz u tubuan në Barcelonë, në tubimin me moton, „Catalunya, Nou Estat D’Europa“ (Katalonia, shtet i ri i Evropës), për të kërkuar pavarësimin e këtij rajoni nga Spanja, i pranishëm aty deshi të jetë edhe Jordi Pujol. Ky burrështetas i vjetër, i cili drejtoi për tri dekada rajonin si president i Generalitat, tashmë e ndien vetën të kufizuar si katalog.
Çdo vit, më 11 shtator, kujtohet ajo ditë në vitin 1714, kur Barcelona kapitulloi para forcave të mbretit të burbonëve, Philipit V, duke humbur më pas vetëqeverisjen.
Pujol 82 vjeçar sa po ishte kthyer nga vizita në Londër, ku kërkoi informata për fushatën e Skocisë për pavarësi. Pjesëmarrja e tij në tubim ka një domethënie mjaft të madhe simbolike.
Artur Mas, pasardhësi i Pujolit në krye të partisë qytetare të krishtere, Convergència i Unió (CiU), i cili që tashmë dy vjet po qeverisë rajonin ende më të pasur të Spanjës, duke pasur parasysh funksionin që ushtron, ishte vetëm me “shpirt” në tubim, siç tha ai, megjithatë ai në zyrën e tij e vendosi flamurin e Katalonisë.
Situata po vlon si asnjëherë më parë, që nga koha kur Katalonia në vitin 1978 u përfshi si një prej 17 rajoneve të Spanjës, në kushtetutën e re demokratike të vendit, por për dallim nga rajonet tjera të ashtuquajtura “historike”, si Baskia dhe Navara, Katalonisë nuk ju lejua që të menaxhojë vetë financat dhe tatimet e rajonit.
Për gjithë Kataloninë, që dikur ishte rajon shembull në Spanjë dhe motor ekonomik i vendit, tani kanë dal në sipërfaqe disa probleme tjera. Për shkak të mundësisë së falimentimit, edhe ky rajon është shndërruar në një kandidat për shpëtim. Para takimit mes kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy me Masin, i cili pritet të zhvillohet më 20 shtator, kryesuesi i qeverisë në Barcelonë pranoi se Katalonia ka nevojë për një ndihmë në vlerë prej 5 miliardë euro nga shteti, për të përballuar pjesën e mbetur të vitit.
Me 42 miliardë euro borxhe, Katalonia është rajoni me problemet më të mëdha në Spanjë. Në pjesën e dytë të vitit Katalonia duhet të shlyej më shumë se 5 miliardë euro borxhe dhe ka nevojë për mjete shtesë, me qëllim që të jetë në gjendje të paguaj punëtorët e sektorit publik. Po të kishte Katalonia në dispozicion pakon e kërkuar fiskale, i cili do të kufizonte në kuadër të baraspeshimit financiar transferin e mjeteve te qeveria qendrore dhe te rajonet tjera, atëherë rajoni nuk do të ishte në prag të falimentimit dhe nuk do të kishte pasur nevojë për shpëtim, argumenton Mas. Edhe të martën, pakoja fiskale ishte arsyeja kryesore e organizimit të protestës, por siç po duket, gjasat janë të vogla që Rajoy të lëshojë pe para kërkesave të Masit.
Në Kataloni, rajon ky me një bazë të fuqishme industriale dhe me një popullatë me një shpirt të fuqishëm ndërmarrës, shumë gjëra nuk kanë shkuar si duhet. Pas Pujolit dhe para Masit, rajoni u kryesua nga një koalicion i çuditshëm tre-partiak, i përbërë nga socialistët, komunistët dhe nacionalistët nga radhët e partisë Esquerra Republicana.
Ky koalicion bëri shumë gabime, të cilat edhe e sollën krizën, duke shpenzuar kot shuma të mëdha parash dhe në fund, Katalonia mbeti pa rezerva financiare.
Ky koalicion humbi zgjedhjet në vitin 2010 dhe Mas u ngrit në pushtet me grupacionin e tij liberal-konservator. Që nga ajo kohë, ai inicioi shumë reforma, bëri reduktime në fushën sociale dhe ndërmori masa të kursimit, masa këto të cilat ka tashmë nëntë muaj që po kopjohen edhe nga qeveria qendrore në Madrid.
Për shkak të problemeve financiare, Mas gjithnjë e më shpesh po e shpreh publikisht pakënaqësinë e tij me politikat e qeverisë qendrore në Madrid.
Ai me gjasë është trimëruar edhe nga rezultati i një ankete, e cila u zhvillua në qershor, e cila dëshmoi se 51 për qind të 7 milionë banorëve të Katalonisë tani mbështesin shkëputjen nga Spanja, një shifër kjo për tetë për qind më e lartë në krahasim me muajin qershor të vitit 2011. Nuk është vetëm pakoja fiskale ajo, e cila po gërryen “unitetin kombëtar” të Spanjës. Ndjenja e katalonëve se nuk respektohen dhe nuk vlerësohen si duhet nga spanjollët, ka ndikuar që të ndërmerren edhe përpjekje tjera për tu dalluar nga spanjollet. Si për shembull ndalimi i luftës me dema, vendim ky me motive politike.
Por edhe përkundër të gjitha grindjeve politike dhe telasheve ekonomike, perspektiva e Katalonisë në të ardhmen nuk duket e keqe as brenda Spanjës. Katalonët njihen për zellin dhe shpirtin ndërmarrës të tyre dhe me ndihmën e fondit për likuidim, ata me gjasë do ta tejkalojnë këtë krizë.
I pyetur javën e kaluar se a po rrezikon rrëmuja në Kataloni unitetin e Spanjës, kryeministri Rajoy u përgjigj:”Jo. Convergència i Unió nuk është parti për pavarësi dhe nuk ka qenë kurrë. Qeveria e Katalonisë aktualisht ka probleme të mëdha financiare dhe ekonomike dhe qeveria e Spanjës do të ndihmojë, deri në momentin e tejkalimit të situatës. Katalonia është një rajon tejet i rëndësishëm në Spanjë, me bruto prodhim të lartë të brendshëm dhe ndërmarrës të zellshëm, të cilët eksportojnë”. (FAZ)