E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katar vdekja e Benitez-it prej infarktit

Vdekja e papritur në moshën 27-vjeçare e një futbollisti në Katar ka shkaktuar një vërshim të hidhërimit në të gjithë botën, por gjithashtu ka nxitur edhe spekulime mbi shkakun e vdekjes së tij.

E mërkura hodhi pak dritë mbi vdekjen e futbollistit ekuadorian, Christian Benitez, pasi klubi i tij Al Jaish publikoi një deklaratë, ku bëhej e ditur se ai ndërroi jetë nga infarkti. “Raportimet zyrtare mjekësore të lëshuara nga entitetet zyrtare shtetërore citojnë se vdekja e papritur e Benitez ndodhi prej infarktit në zemër”, lexohej në deklaratën e lëshuar prej klubit. “Që kur lojtari ekuadorian ndërroi jetë, mëngjesin e së hënës, në një mënyrë të papritur, trishtimi dhe hidhërimi mbizotërojnë në të gjithë klubin, pasi dëgjuam lajmin e trishtë, veçanërisht sepse ai ishte bashkuar me ekipin vetëm prej pak ditësh”. Klubi ka kërkuar të paguajë të gjitha shpenzimet e transferimit të trupit të tij nga Doha për në Ekuador. “Drejtuesit e menaxherët e klubit sigurojnë sërish mbështetjen e pafund ndaj familjes së Christian-it dhe u qëndrojnë në krah atyre gjatë kësaj periudhe të vështirë”, shkruhej në deklaratën e Al Jaish. “Klubi bëri edhe një vizitë speciale në familjen dhe gruan e lojtarit të ndarë nga jeta, të cilët qëndrojnë aktualisht në Doha. Vizita u bë për të parë situatën në familjen e tij dhe për t’i siguruar se ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur ata”. 27-vjeçari ndërroi jetë në një spital të Katarit, pasi u shtrua për shkak të dhimbjeve të barkut. Ai kishte debutuar me klubin e ri ditën e diel. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›