E Hënë, 2 Nëntor 2026

Katari: Vijojnë bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Gazës

Bisedimet për një marrëveshje armëpushimi në  Rripin e Gazës po vazhdojnë, konfirmoi sot Katari, i cili ka një rol ndërmjetësues midis Izraelit dhe Hamasit.

“Takimet po vazhdojnë midis dy palëve,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, duke iu referuar bisedimeve midis negociatorëve kryesorë mbi detajet e një marrëveshjeje.

Për më shumë se një vit, Katari ka ndërmjetësuar me SHBA-në dhe Egjiptin në negociatat që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve që mbahen ende në enklavën palestineze pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael.

“Shumë çështje janë në diskutim,” shtoi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, i cili vuri në dukje se ai nuk dëshiron të hyjë në detaje “për të mbrojtur integritetin e negociatave”.

Negociatat indirekte rifilluan gjatë fundjavës në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Raundi më i fundit i negociatave përfundoi pa sukses muajin e kaluar, me të dy palët që akuzuan njëra-tjetrën për bllokim të bisedimeve./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›