E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një pol kibernetik në Sauk, Rama: Godina me standarde të sigurisë së lartë

Qeveria i ndezi dritën jeshile ndërtimit të një Poli të Ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë Kibernetike, në Sauk të Tiranës.

Kryeministri Rama inspektoi sot punimet në zonën ku do të vendosen me zyra Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike si dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.

“Është shumë e rëndësishme për ne kjo godinë sepse faktikisht është një godinë me standarde të sigurisë së lartë por edhe ka bërë një përparim të konsiderueshëm pasi është pajisur më një teknologji të fjalës së fundit që na vë në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen qoftë për ASHIG dhe për inteligjencën financiare. Ka një punë shumë të ndjeshme për shkak të sensibilitetit të të dhënave që lidhen me transaksionet financiare dhe që është një agjenci kyç qoftë përsa i përket daljes së Shqipërisë nga lista gri, qoftë sa i përket gjithë përpjekjes për të luftuar me evazionin, por në radhë të parë me paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale”, tha Rama.

Më herët  Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pjesë e kompleksit që po ndërtohet do të jetë edhe Akademia Kibernetike.

“Parashikohet që të kemi një ndërtesë mbi tokë që do të arrijë në 4000 metra katrorë, ndërkohë që nëntoka arrin në 5800 metra katrorë ku një pjesë e zyrave do jenë në nivelin -1 për arsye sigurie, ku ndodhen serverët dhe zyrat e tjera te operimeve”, tha Balluku.

Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, fondi për realizimin e projektit arrin vlerën e 673 milionë lekëve.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›