E Diel, 1 Nëntor 2026

Katastrofë në Kinë. Tërmeti shkakton mijëra viktima

Një tërmet i fuqishëm me manjitudë 7.8 gradë të shkallës Rihter ka goditur provincën Sichuan në jugperëndim të Kinës dhe pasojat janë katastrofale. Qeveria e Pekinit flet për disa mijëra viktima dhe bilanci rëndohet nga ora në orë. Të paktën 8 mijë e 500 të vdekur e mbi 10 mijë të plagosur vetëm në provincën Sichuan, ku 80 për qind e godinave janë shkatërruar, e mes tyre, edhe një spital. Këto shifra jepen nga agjencia e lajmeve "Xinhua", e cila citon burime të qeverisë lokale. Gjithsesi, druhet se bilanci i viktimave mund të jetë akoma më i madh, pasi me kalimin e orëve vijnë lajme të tjera edhe nga qendrat që gjenden mes qytetit Dujiangyan dhe lokalitetit ku është lokalizuar epiqendra e tërmetit, Venchuan. Ndërkohë, mes mijëra vështirësish, vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar më shumë se 900 nxënës të mbetur të mbërthyer nën rrënojat e një shkolle në Dujiangyan pavarësisht se për qindra prej tyre nuk mund të bëhet më asgjë. Prindërit ndiqnin me ankth, të tmerruar, operacionet e shpëtimit, ndërkohë që edhe vetë banorët e zonave përreth janë angazhuar në kërkimet nën rrënoja. Televizioni shtetëror ka thënë se të paktën pesë shkolla janë shembur, duke varrosur nën rrënoja një numër të pasaktësuar nxënësish të shkollës fillore dhe të mesme. Qindra njerëz të tjerë janë varrosur nën rrënoja dhe 6 mijë banorë të Shifangut janë evakuuar pas shembjes së dy impianteve kimike që kanë shkaktuar edhe përhapjen në zonë të 80 tonëve amoniak. Lagje të tëra janë shembur dhe linjat telefonike në rajonin e goditur, janë shembur. Kryeministri kinez, Uen Xhiabao, ka pohuar se bëhet fjalë për "një katastrofë" dhe ka ftuar liderët lokalë të jenë në frontin e parë për të ndihmuar popullatën e goditur. Presidenti kinez, Hu Xhintao, ka kërkuar në anën tjetër një angazhim total në shpëtimin e viktimave. Tërmeti është pasuar të paktën edhe nga pesë lëkundje të tjera dhe është lëshuar ndërkohë edhe një paralajmërim për të tjera dridhje që mund të prekin Pekinin, të intensitetit nga 2 deri në 6 gradë të shkallës Rihter. Tërmeti, që ndodhi në orën 14:28 me orën lokale (08:28 sipas orës tonë), ka qenë aq i dhunshëm sa që është ndjerë edhe në Pekin, Shangai, Tajvan, Hanoi e madje deri në kryeqytetin tajlandez Bangkok, ku pallatet janë lëkundur për disa minuta. Epiqendra është lokalizuar 92 kilometra në veriperëndim të Chengdu, kryeqyteti provincial, në një thellësi prej 29 kilometrash nën tokë. E njëjta zonë ishte shkatërruar tërësisht në 1933-shin nga një lëkundje e tokës që i mori jetën nëntë mijë personave. Në fakt, zona e prekur nga tërmeti është e mbushur me male dhe lugina dhe një numër rrugësh janë të lidhura me ura. E sipas një skenari të tillë, problemet mund të jenë të shumta edhe në infrastrukturë. Ndërkohë në Pekin, njerëzit janë derdhur nëpër rrugë, të përfshirë nga paniku, duke rendur jashtë godinave që dridheshin. Duket ndërkohë e paprekur Diga e Tre Grykave, që ende po vazhdon të ndërtohet në provincën qendrore të Hubeit. Pesha e masës së ujit, që mban rezervuari gjigand i impiantit të shumëdebatuar hidrik, është aq e madhe, sa që mund të përbëjë një rrezik serioz në rast aktivitetesh të tilla, të forta, sizmike në rajon. Skena tensioni dhe alarmi janë parë edhe në Vietnam, në Hanoi dhe në Bangkok, 3 mijë e 300 kilometra në jug të epiqendrës së tërmetit. Në metropolet tajlandeze grataçielat janë dridhur për shtatë minuta. Sipas Institutit Gjeosizmik Amerikan bëhet fjalë për tërmetin më të fortë, pas atij me manjitudë 7.9 ballë të shkallës Rihter që goditi Indonezinë vitin e shkuar. Tërmeti i fundit, gjithsesi, ishte më i fuqishmi që ka goditur provincën Sichuan në më shumë se 30 vite. Kjo provincë në fakt është ndër më të populluarat në Kinë, me një popullsi prej rreth 87 milionë banorësh. Sipas korrespondentëve, kjo është me shumë gjasa katastrofa natyrore më e rëndë që ka goditur Kinën me sa mbahet mend, por ushtria kineze ka një histori mobilizimi të mirë dhe shpeshherë është angazhuar në operacione shpëtimi të suksesshme. Në të njëjtën kohë, kjo e tanishmja ishte një nga përgjigjet më të shpejta dhe më të hapura të emergjencës që është parë ndonjëherë në mediat shtetërore kineze. Tërmeti është ndjerë i fortë në Pekin dhe miliona njerëz u ndjenë të lidhur me këtë katastrofë, duke ndjekur në ekranet televizive se si qeveria po përgjigjej.

Tërmetet e fundit

Mars 2008

Një tërmet prej 7.2 ballësh u regjistrua në provincën Xinjiang të Kinës, por fatmirësisht dëmet ishin të kufizuara

Shkurt 2003

Një tërmet prej 6.8 ballësh goditi të njëjtën provincë, Xinjiang, të paktën 94 të vdekur e 200 të plagosur

Janar 1998

Një tërmet prej 6.2 ballësh të shkallës Rihter u shënua në Hebei. Bilanci i regjistruar: 47 të vdekur dhe mbi 2 mijë të plagosur

Janar 1997

Një tërmet me manjitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter regjistrohet në Xinjiang. Bilanci: 50 të vdekur dhe 40 të plagosur

7 mijë të vdekur e 10 mijë të plagosur vetëm në provincën Sichuan, ku 80 për qind e godinave janë shkatërruar

Qindra njerëz janë varrosur nën rrënoja dhe mijëra të tjerë janë evakuuar nga Shifangu pas shembjes së dy impianteve kimike



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›