E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoria e Parë, java e tretëJava e 3-të propozon çifte interesante, spikat derbi Elbasani-Turbina

Publikoje ne:

Kategoria e Parë do të luajë të shtunën (12 shtator) aktin e tretë të sezonit 2009-2010, me përjashtim të ndeshjes Pogradeci-Kamza, që do të luhet ditën e hënë (14 shtator). Elbasani e Sopoti vazhdojnë të kenë nga një ndeshje më pak. Java e 3-të propozon çifte interesante.

LUSHNJA-ADA
Lushnja e Artan Banos synojnë fitoren e parë në shtëpi. Në javën e parë barazuan 0-0 me Luftëtarin, ndërkohë që në të dytën fituan 3-0 në transfertë me Turbinën. Ada e Kreshnik Krepit, nga ana e saj i ka shijuar si fitoren (me Burrelin, 2-1)ashtu dhe humbjen (me Dajtin, 1-0), duke pasur golaverazh të barabartë: 2-2. Bubeqi i Lushnjës, i cili ka shënuar dy gola në dy javët e para, mbetet arma e fortë e verdhejeshilëve. Takimi gjykohet nga Enea Jorgji (Elbasan).

ELBASANI-TURBINA
Në javën e parë Elbasani, 2-herë kampion i Shqipërisë në Kategorinë Superiore, fitoi 2-1 me Besëlidhjen. Në javën e dytë elbasanasit nuk e zhvilluan ndeshjen e radhës me Sopotin. Në derbin me Turbinën fqinje, trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, ka në dispozicion Armand Mehmetajn, por dhe Jasmin Raboshtën e huazuar nga Vllaznia. Turbina e Cërrikut ka pësuar dy humbje rresht në dy javët e para, duke pësuar 4 gola e mos shënuar asnjë. Elbasani-Turbina do të gjykohet nga Artan Taullaraj (Tiranë).

MEMALIAJ-LUFTËTARI
Debutuesi i Kategorisë së Parë, Memaliaj (dy ndeshje, dy humbje) do të përballet me Luftëtarin e Gjirokastrës (1 fitore, 1 barazim). Për Memaliaj është mundësia për të marrë pikët e para, pavarësisht se Luftëtari është kockë e fortë (barazoi 0-0 me Lushnjën në “Roza Haxhiu”). Takimi gjykohet nga Cjapi (Fier).

BURRELI-BYLIS
Në ndeshjen e parë në shtëpi, Burreli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Sopotin. Bylis mbërrin në Burrel si kryesuesja absolute e Kategorisë së Parë (është  e vetme në krye, me 6 pikë). Skuadra ballshiote e drejtuar nga Ilir Spahiu beson te aftësitë shënuese të Romeo Hamzajt( 2 gola, nga 3 që ka shënuar skuadra në dy javët e para). Në javën e dytë Bylisi mundi 1-0 Partizanin, një rival direkt për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Takimi gjykohet nga Rama (Tiranë).

GRAMSHI-BESËLIDHJA
Të dyja skuadrat kanë grumbulluar nga një pikë në dy javët e para, dhe të dyja kanë barazuar në shtëpi, Gramshi 1-1 me Skraparin (gol i Basriut) dhe Besëlidhja me Dajtin (0-0). Gramshi, debutues në Kategorinë e Parë synon fitoren e parë përballë publikut të tij. Takimi gjykohet nga Alla (Lushnjë).

PARTIZANI-SOPOTI
Partizani pas humbjes me Bylisin (1-0, në javën e dytë), synon rikthimin te fitorja me Sopotin e Librazhdit. Trajneri Eduard Zhupa i beson dyshes të sulmit Bejzade-Dashi për të përsëritur fitoren e javës së parë, të arritur kundër Bilisht Sportit (1-0, gol i Andrelis Pashaj). Për të kuqtë kundër Sopotit rikthehen Karapici dhe Dashi, ndërsa mungon Rigers Çeka. Sopoti i Ibërshimit në ndeshjen e vetme në transfertë ka barazuar, ndërkohë që ka një ndeshje më pak, nuk ka zhvilluar atë kundër Elbasanit. Takimi gjykohet nga Dervishi (Shkodër).

SKRAPARI-BILISHT SPORT
Skrapari i Edmon Dalipit ka dalë i pamundur në dy takimet e para (dy barazime) dhe sot synon tri pikët e para ndaj Bilisht Sportit, që nga ana e tij ka një fitore (në shtëpi) dhe një humbje (në transfertë). Takimi gjykohet nga Disha (Memaliaj)

POGRADECI-KAMZA
Takimi do të luhet të hënën. Pogradeci vjen pas humbjes me Luftëtarin (3-2), ndërsa Kamza pas barazimit pa gola me Besëlidhjen (0-0), por me një pikë më shumë se pogradecarët: 3-4. në javën e parë, Pogradeci fitoi me Turbinën, ndërsa Kamza e trajnerit Petrit Haxhiu fitoi 1-0 më Adën e Velipojës.

KATEGORIA E PARë
JAVA 3, 12.09.2009
Ora: 16:30

LUSHNJA-ADA
ELBASANI-TURBINA
MEMALIAJ-LUFTËTARI
BURRELI-BYLIS
GRAMSHI-BESËLIDHJA
PARTIZANI-SOPOTI
SKRAPARI-BILISHT SPORT

Të hënën, 14.09.2009
POGRADECI-KAMZA

E Shtune, 12 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›