E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Katër Masa Shpirti” për Kujtim Laron, sonte premiera e dokumentarit, prodhim ekskluziv i RTSH

Kompozitori i ndjerë Kujtim Laro, Artist i Merituar, la në trashëgiminë e tij artistike mbi 35 kolona zanore, duke marrë edhe epitetin “Morricone i filmave shqiptarë” nga kolegët.

Në vigjilje të ditëlindjes së tij, Radio Televizioni Shqiptar ka realizuar një prodhim ekskluziv për ikonën e muzikës së filmit shqiptar, duke përçuar përmes tingujve dhe rrëfimeve emocionin e thellë të artit të tij.

Premiera e dokumentarit “Katër Masa Shpirti”, me autore Albana Kozeli, do të jetë sonte në orën 19:00 në Kinema Millennium.

Montazhi është realizuar nga Gjergj Pano, drejtori i fotografisë është Shkëlzen Sinani, ndërsa si konsulente artistike, Holta Sina.

Me përfundimin e studimeve në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve, Laro punoi për shumë vjet si pedagog në Akademinë e Arteve.

“Një shpirt i lirë artisti si ai, nuk mund të rrinte brenda kornizave të një tabloje të ‘paracaktuar’ të kohës, sepse Kujtimi ishte si një det i thellë, herë dallgëzues, shpërthyes e herë i qetë, i paqtë e plot shkëlqim,” sipas znj. Sina. Edhe regjisori i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, Dhimitër Anagnosti, dikur do të shprehej se muzika e Kujtim Laros “fliste kur filmi nuk kishte se çfarë të thoshte”.

Përveç kontributit muzikor në kinematografi, Laro realizoi edhe këngët e dhjetëra festivaleve. Firmën e tij e mbajnë kolonat zanore të filmave të njohur, si “I teti në bronz”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “nëntori i dytë”, “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha” etj. Krijimi i tij i fundit ka qenë muzika e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”, përpara se ai të ndahej nga jeta në vitin 2004.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›