Katër nga legjendat urbane mbi liderin e opozitës
Dr. Milena HARITO
Kohët e fundit, kur dëgjoj të njohurit e mi, që kanë votuar e do të vazhdojnë të votojnë për Partinë Socialiste, që më thonë Edi Rama nuk e merr dot pushtetin, Edi Ramës ia hedh Meta, Edi Ramës ia hedh Berisha … jam përpjekur të kuptoj kujt i interesojnë legjendat urbane mbi paaftësinë e Edi Ramës për të drejtuar opozitën? Mund të mendojmë se vijnë nga konkurrentë të tij brenda PS-së. Por në këtë rast përse qeveria duhet të merret me paaftësinë e liderit të opozitës? çdo qeveri do të ishte e lumtur të kishte një kundërshtar të paaftë dhe në këtë rast nuk do ta kritikonte, por do të bënte çmos që ai të ishte sa më jetëgjatë.
Por shikoni pak reagimet zyrtare dhe deklaratat e shtypit të qeverisë. Është e rrallë të gjesh një të tillë që nuk flet për të ashtuquajturën paaftësi të Edi Ramës.
Atëherë të gjithëve duhet të na lindë dyshimi: përse qeveria përpiqet të na mbushë mendjen që kundërshtari i saj kryesor nuk ia del dot?
Le të shohim faktet dhe legjendat rrotull tyre:
Legjenda I: aftësia për qeverisje. Edi Rama ka drejtuar për 12 vjet Bashkinë e Tiranës ku futi standarde qeverisjeje, të cilat ende sot e kësaj dite nuk ekzistojnë në pjesën më të madhe të institucioneve qeveritare. Meqenëse e kemi zakon të marrim si dëshmitarë të paanshëm partnerët ndërkombëtarë, shumë prej tyre e dëshmojnë.
Legjenda II: përçarja e partisë: Padyshim është e vështirë të mbash të bashkuar partinë më të madhe të vendit. Fatmirësisht do të thosha është më e vështirë të mbash të bashkuar njerëz që nuk kanë frikë. Është e vërtetë te ne, si dhe në të gjitha vendet e tjera demokratike. E pra mendoj se e ashtuquajtura përçarje e Partisë Socialiste, në fakt debat i brendshëm e pluralitet mendimi, është në nderin e saj. Pa mendoni njëherë sa e bashkuar ka qenë Byroja Politike e Enver Hoxhës. Dhe kujtohuni pak si quhej ai deputet, i njohur për integritetin e tij, që foli së fundmi për mbledhje të Byrosë Politike?
Legjenda III: humbja apo fitorja. Nuk po zgjatem mbi këtë temë: zgjedhjet e 2009-s cilësohen si të dytat më të këqija nga OSBE-ja, vjedhja e zgjedhjeve lokale në Tiranë në 2011-n në dritë të diellit… dhe mazhoranca që përhap pareshtur idenë se Edi Rama nuk di as të mbrojë votën. Nga kush duhet ta mbrojë votën Edi Rama?
A nuk është shteti ai që organizon zgjedhjet e lira? Në një demokraci funksionale mbrojtjen e votës nuk e bën opozita, por shteti. Ti kërkosh liderit të opozitës të mbrojë votën, do të thotë, e para që zgjedhjet nuk janë të lira, dhe e dyta, që i kërkojmë të udhëheqë një revolucion për përmbysjen e hajdutëve të votës. Sipas meje, ka një rrugë të tretë: të gjithë ne të votojmë më masivisht se asnjëherë kundër regjimit të votavjedhësve dhe Edi Rama të garantojë popullin se qeveria e tij do ta vendosë përfundimisht lirinë e votës në themelin e bashkëjetesës politike në Shqipëri.
Legjenda IV: nuk është politikan ia hedhin Berisha dhe Meta. Çdomethënë ia hedhin? Bëjnë pazare midis tyre? Bëjnë llogari elektorale që një fëmijë në klasë të gjashtë është në gjendje ti bëjë? Dhe këtë e quajmë zotësi, politikë? E pra nuk është kjo zotësia, zotësia është të sjellësh pak ndryshim, qoftë edhe pak, qoftë edhe dy hapa përpara.
Të tjerat, jo po ngjala, jo po të shpallte emra për president … janë një propagandë efikase që ndërkohë të harrojmë që mazhoranca me një proces kushtetues vërtet, shpalli president ministrin e Brendshëm. Vetëm Vladimir Putini mund të mburret që është po aq politikan i zoti.
Pyetja nuk shtrohet nëse lideri i opozitës është ose jo perfekt? Asnjeri prej nesh nuk është. Pyetja që shtrohet për secilin prej nesh është nëse në vitin 2017 duam të vazhdojmë të molloisim për klikën në pushtet, për një Shqipëri ku njerëzit nga mazhoranca a nga opozita, të pasur a të varfër vazhdojnë të thonë: Ah, do të doja që fëmijët e mi të studiojnë jashtë e të mos kthehen më në Shqipëri. E pra 21 vjet pas rënies së diktaturës, më duket shumë e rëndë që klika në pushtet të ketë arritur të na bindë se e vetmja zgjidhje që kemi është tua lëmë atyre Shqipërinë.
Por, për fat populli shqiptar ka ecur shumë më shpejt se klasa politike që e drejton sot. Të gjithë ne që duam që situata të ndryshojë, duhet së pari të pushojmë së përsërituri mesazhet depresive që na transmeton në mënyrë direkte ose indirekte pushteti aktual, të mos bëjmë lojën e atyre që duan të shkatërrojnë besimin e opozitës te fitorja, dhe së dyti të përveshim mëngët, të organizohemi, të votojmë, të mbrojmë votën. Nuk ka asnjë arsye që të humbim shpresën, por shpresa nuk është Edi Rama i vetëm, jemi ne të gjithë. Ai të paktën ka marrë përsipër këtë luftë, ndërkohë që në vite, shumë të tjerë kanë dorëzuar armët.
Katër nga legjendat urbane mbi liderin e opozitës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci