E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia si viktimë

Gazeta Shqip

Paul Krugman

Që nga koha kur Greqia ka rrëshqitur, kemi dëgjuar shumëçka se çka sështë në rregull me gjithçka greke. Disa prej akuzave njëmend janë të vërteta, të tjera të rrejshme por të gjitha e kanë huq qëllimin. Po, ka shumë dështime të mëdha në ekonominë greke, në politikën e saj dhe pa fije dyshimi në shoqërinë e Greqisë. Ama nuk janë këto dështime që kanë shkaktuar krizën që po e shpartallon Greqinë dhe kërcënon të përhapet në mbarë Europën.

Jo, origjinat e kësaj katastrofe shtrihen shumë më në veri, në Bruksel, Frankfurt dhe Berlin, ku zyrtarët krijuan një sistem monetar thellësisht – mbase edhe fatal – të plasaritur, pastaj grumbulluan problemet e atij sistemi, duke e zëvendësuar analizën me moralizim. Dhe zgjidhja e krizës, nëse ka ndonjë, duhet të dalë prej vendeve të njëjta.

Kësisoj, për ato dështime greke: Greqia, në të vërtetë, ka shumë korrupsion dhe shumë evazion taksash dhe qeveria greke ka pasur një ambient të jetesës përtej mundësive të veta. Përtej kësaj, prodhimtaria e fuqisë punëtore greke është e ulët krahasuar me standardet europiane rreth 25 për qind më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Megjithatë, vlen të theksohet se produktiviteti i fuqisë punëtore, të themi në Misisipi, është ngjashëm i ulët krahasuar me standardet amerikane dhe me të njëjtën margjinë.

Në anën tjetër, shumë gjëra që ju dëgjoni për Greqinë, thjesht nuk janë të vërteta. Grekët nuk janë përtacë përkundrazi, punojnë me orar më të gjatë pune se kushdo tjetër në Europë, dhe në veçanti shumë më gjatë sesa punëtorët gjermanë. Nuk është edhe se grekët kanë një shtet pa mirëqenie të fortë publike, nuk dallon shumë prej vendeve, të themi Gjermanisë dhe Suedisë, që ia kanë dalë me sukses ta tejkalojnë krizën europiane.

Si janë rrasur grekët në këto telashe? Fajësojeni euron.

Para pesëmbëdhjetë vjetësh, Greqia nuk ishte parajsë, ama edhe nuk ishte në krizë. Papunësia ishte e lartë, ama jo katastrofale, dhe shteti pak a shumë ia doli me sukses në rrugën e vet drejt tregjeve botërore, duke përfituar mjaft mirë nga eksportet, turizmi dhe burimet e tjera që ndihmonin në koston e importeve.

Pastaj Greqia iu bashkua Eurozonës dhe ndodhi hataja: njerëzit nisën të besonin se ishte një vend i sigurt për të investuar. Paratë e huaja u derdhën në Greqi, disa prej tyre, ama jo të gjitha, duke financuar deficitet qeveritare; ekonomia lulëzoi; inflacioni u rrit; dhe Greqia u bë jashtëzakonisht jokonkurruese. Për të qenë të sigurt, grekët hardhuan shumë, nëse jo krejt, paratë që po vërshonin, por atëherë kështu kishin bërë të gjithë ata që ishin zënë në flluskën e euros.

Dhe pastaj flluska shpërtheu, në të cilën pikë të gjitha plasaritjet themelore në gjithë sistemin e euros u bënë shumë të dukshme.

Vëre gishtin në kokë dhe pyeteni veten se pse zona e dollarit gjithashtu e njohur edhe si Shtetet e Bashkuara të Amerikës funksionon herë mirë e herë më keq, pa ndonjë krizë të ashpër rajonale të ngjashme me atë që tani ka mbërthyer Europën? Përgjigjja është se ne kemi një qeveri të fuqishme qendrore dhe se aktivitetet e kësaj qeverie në efekt promovojnë pako automatike shpëtimi për shtetet që rrasen në borxhe.

Merreni, për shembull, parasysh çka do ti ndodhte tani Floridës, pas krizës së madhe të patundshmërive, nëse shteti do të nxirrte paratë, të hyrat e reduktuara për sigurimin social dhe kujdesin shëndetësor. Fatbardhësisht për Floridën, që Uashingtoni, e jo Tallahassee po e mbulon këtë plasaritje, që në fakt do të thotë se Florida po merr një pako shpëtimi që asnjë shtet europian nuk do të mund ta ëndërronte.

Ose kini parasysh një shembull më të vjetër, krizën e kursimeve dhe huave të viteve tetëdhjetë, që ishte me të madhe një aferë e Teksasit. Taksapaguesit paguan një shumë të majme për ta shlyer atë lëmsh ama ata taksapagues më shumë ishin të shteteve të tjera sesa të Teksasit. Edhe një herë, shteti mori një pako automatike të shpëtimit që nuk do të mund të përthekohej në Europën moderne.

Pra, Greqia, ani pse nuk është e pafaj, kryesisht është në telashe për shkak të arrogancës së zyrtarëve europianë, shumica prej të cilëve prej vendeve të pasura, që bindën veten se ata do mund të krijonin një monedhë të përbashkët pa një qeveri të përbashkët. Dhe po këta zyrtarë e kanë përkeqësuar edhe më situatën, duke ngulmuar se të gjitha telashet kanë ardhur si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të atyre shteteve të Europës Jugore, dhe gjithçka do të shkonte fjollë vetëm në rast se njerëzit janë të gatshëm të pranojnë të vuajnë përkohësisht.

Kjo na solli në zgjedhjet greke të së dielës, kjo na solli në arritjen e asgjëje. Qeveria e koalicionit do të mund tia dilte të qëndronte në pushtet, megjithëse kjo nuk është e qartë (partneri i vogël në koalicion po kërcënojnë të largohet). Megjithatë, grekët assesi nuk do të arrijnë ti gjejnë çarenë kësaj krize.

E vetmja mënyrë sesi euro mund-mund-të shpëtohet është nëse gjermanët dhe Banka Qendrore Europiane e kuptojnë se janë ata që duhet ta ndryshojnë sjelljen e tyre, duke harxhuar më shumë dhe, po, të pranojnë shkallë më të lartë inflacioni. E nëse jo mirë, Greqia në fakt do të mbetet në histori si një viktimë e arrogancës së popujve të tjerë.

(Marrë nga The New York Times)

Greqia si viktimë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›