E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër sulmues në kërkim të golitKombëtarja çalon në ndeshjet zyrtare dhe shpërthen në ato miqësore. Kontrasti: 4 gola në 8 takime kualifikuese, 10 të tillë në 4 testuese

Shqipëria kundër Danimarkës ka në dispozicion katër sulmues Erjon Bogdanin (51 ndeshje, 11 gola me Kombëtaren), Edmond Kapllanin (24 ndeshje, 6 gola), Besart Berisha (16 ndeshje, 2 gola) e Hamdi Salihin (13 ndeshje, 1 gol) dhe trajneri Kuzhe, i cili pëlqen dukshëm skemën 4-4-2, ka mundësi të zgjedhë në ndeshjen e vështirë kundër Danimarkës, skemë që e provoi me sukses në ndeshjen e fundit kundër Qipros. Në fakt, vija e parë e sulmit ka qenë një problem më vete nën drejtimin e Ari Hanit, ndërkohë që tani reparti i avancuar shënon me lehtësisht.

ZYRTARET – Është e natyrshme që sfidat zyrtare kanë të të tjera përgjegjësi në raport me ato miqësore, dhe këtë e dëshmon edhe numri i vogël i golave të realizuar: 4 të tillë në 8 ndeshje. Në shtatë ndeshjet ka qenë një problem më vete në “epokën Han”: vetëm 3 të tillë në 630 minuta lojë (të tre në fitoren 3-0 kundër Maltës), teksa vetëm një prej tyre mban firmën e një sulmuesi, Erjon Bogdanit. Dy të tjerët kanë për autorë mbrojtësin Armend Dallku e mesfushorin Klodian Duro. Tani duket se me Kuzhen shënohet më lehtë. Golat kanë qenë të pranishëm në çdo takim, zyrtar apo miqësor. Me Portugalinë shënoi Bogdani në humbjen 1-2 në Tiranë.

MIQËSORET- Fakti që ato shërbejnë për kolaudimin e skuadrës është një faktor thelbësor në çlirimin e lojtar. Dhjetë gola në katër ndeshje (2.5 gola për ndeshje) janë një tregues kuptimplotë. Në dy ndeshjet miqësore e drejtuara nga Ari Hani, ato kundër Lihteshtejnit (2-0) dhe Azerbajxhanit (1-1), gjetën rrugën e rrjetës, Jahmir Hyka (gol pas 46 sekondash) dhe Edmond Kapllani, ndërsa në Baku shënoi Skela. Nën drejtimin e Josip Kuzhesë kundër Gjeorgjisë (1-1) shënoi Agolli, dhe ndaj Qipros (6-1), katër lojtarë firmosën pesë gola: Skela (2) dhe Bogdani, Agolli, Vila (të tre nga një), përfshirë dhe një autogol të Mihalisit të Qipros.

GOLASHËNUESIT
Periudha përkon me
eliminatoret e Botërorit

NDESHJET ZYRTARE
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2

4 gola: Erjon Bogdani (2), Klodian Duro (1), Armend Dallku (1)

NDESHJET MIQËSORE
Shqipëri-Lihteshtejn 2-0
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1

10 gola: Ervin Skela (3), Ansi Agolli (2), Jahmir Hyka (1), Edmond Kapllani (1), Erjon Bogdani (1), Emiljano Vila (1), Mihalis (autogol, Qipro)

Danimarka “preu kokën” e Hanit

Në përballjen e parë në Kopenhagen, Shqipëria, atëherë e drejtuar nga Ari Han, humbi me rezultatin e thellë 3-0. Danimarka realizoi me Leon Andreasen (30’), Soren Larsen (37’) dhe Kristian Pulsen (80’). Humbja me danezët, e dyta rresht pas asaj me Hungarinë në Tiranë (0-1), e shoqëruar edhe me barazimin e zbehtë në Maltë (0-0), provokoi edhe shkarkimin e holandezit pas një presioni të jashtëzakonshëm popullor të specialistëve të futbollit, përfshirë edhe disa ish-trajnerë të Kombëtares shqiptare e teknikë i të shquar klubesh. Kundër qëndrimit të mëtejshëm të ish-trajneri të Kinës e Kamerunit ishte thuajse e gjithë tifozeria kuqezi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e mbarë botën, çka e detyroi Federatën Shqiptare të Futbollit t’i kërkonte dorëheqjen ish-lojtarit të Ajaksit, por duke paguar një faturë jo të vogël financiare.

Tetë ndeshje, gjashtë pikë

Pas tetë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 6 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta). Kemi humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest e 0-1 në Tiranë), Danimarkën (3-0 në Kopenhagen) dhe së fundi me Portugalinë (1-2, në Tiranë).

Kapllani-Berisha, rikthimi i të “përjashtuarve”

Biseda “kokë me kokë” në Gjermani e trajnerit Josip Kuzhe me dy sulmuesit e lënë jashtë miqësores kundër Qipros, Edmond Kapllani (Augsburg, Bundesliga 2) dhe Besart Berisha (Arminia Bielfeld, Bundesliga 2), duket se kanë qenë e frytshme, pasi si durrsaku (24 ndeshje me përfaqësuesen) ashtu dhe kosovari (16), janë ndër 20 lojtarët e thirrur për sfidën e dytë kundër Danimarkës. Trajneri e kishte bërë të qartë se nuk ekziston në mëndjen e tij asnjë ide “persekutimi” ndaj tyre dhe se nuk i kishte thirrur për ndeshjen miqësoren kundër ishullorëve, pasi dëshironte të provonte disa të rinj (Vilën, Hykën, Bakajn). Në fakt, sulmuesi 27-vjeçar Edmond Kapllani nuk ishte pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga ish-trajneri holandez Ari Han për ndeshjen e parë kundër Danimarkës, ndërkohë që Besart Berisha e nisi si titullar sfidën në Danimarkë (u zëvendësua nga Migen Memelli në minutën e 85-të). Kapllani (24 ndeshje me Kombëtaren) është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e Kampionateve Europiane, 5 gola, teksa një tjetër gol e ka shënuar në miqësoren e fituar 2-0 kundër Lihtenshtejnit. Në kampionatin gjerman Bundesliga 2, Kapllani ka luajtur vetëm në një takim, duke mos u aktivizuar në dy të tjerët me Augsburgun, ndërkohë që Berisha ka luajtur si zëvendësues në dy nga tre ndeshjet e para

Skenarët e grupit të “çmendur”

Kur u hodh shorti i Botërorit, grupi 1 i zonës evropiane, u cilësua si “hekurt”, por tani me atë ka ndodhur në 6-8 ndeshjet e para, është me të vërtetë, një grup i “çmendur”. Ajo çka është prodhuar deri tani në grupin tonë kualifikues të zonës europiane të Kampionatit Botëror ka “sistemuar” një renditje aspak të menduar kur u hodh shorti dhe është një “rebus” i vërtetë.

Portugalia (6 ndeshje, 9 pikë) dhe Suedia (6 ndeshje, 9 pikë) ishin konsideruar favorite të qarta për të ndarë vendet 1-2, të kualifikuarën direkt dhe atë që shkon në play-off, ndërkohë që skuadrat e Kristiano Ronaldos e Zlatan Ibrahimoviçit renditen në vendet 3-4, respektivisht pas Danimarkës (6 ndeshje, 16 pikë) e Hungarisë (6 ndeshje, 13 pikë).

Danimarka përpara së të luajë me Shqipërinë në Tiranë (9 shtator) do të përballet në shtëpi me Portugalinë (5 shtator), ku nga fati i atij takimi do të varet edhe e ardhmja e dy skuadrave. Në ndeshjen e parë, Danimarka fitoi në Portugali 3-2. Më pas danezët kanë punë me Hungarinë e Suedinë.

Portugalia mund të kalojë me pikë Hungarinë, nëse i fiton të dyja ndeshjet me hungarezët e Ervin Koemanit, për të synuar një vend të paktën në play-of. Ndeshja fundit për Kristianon me shokë është një formalitet: Malta.

Suedia duket se është e djegura e madhe, nuk duhet të lërë asnjë pikë gjatë rrugës, madje të mundë Danimarkën në përballjen e fundit në këto eliminatore. Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit ka në dispozicion katër ndeshje: 1 në shtëpi me Shqipërinë, dhe tre në transfertë me Maltën, Hungarinë e Danimarkën.

RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 6 16
Hungaria 6 13
Portugalia 6 9
Suedia 6 9
Shqipëria 8 6
Malta 8 1

E Hene, 31 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›