Lonçareviç, nisja me e keqe nga pesë trajnerët e huaj të TiranësAskush nga katër teknikët e tjerë nuk e kishte filluar me rezultat negativ

Trajneri kroat Ilija Lonçareviç bëri nisjen më të keqe të 24-herë
kampionëve në dhjetë vitet e fundit, duke qenë njëherësh edhe trajneri
i vetëm i huaj i Tiranës, që e ka nisur edicionin me humbje. Katër të
tjerët, hungarezi Miklosh Temeshvari e ka nisur me fitore: 3-1 kundër
Skënderbeut në Korçë (sezoni 2000-2001); boshnjaku Enver Haxhiabdiç po
me fitore 2-0 kundër Apolonisë në Fier (sezoni 2002-2003); italiani
Leonardo Menikini me fitore 2-1 kundër Vllaznisë në Shkodër (2005-2006)
dhe boshnjako-kroati Bllaz Slishkoviç me barazimin 0-0 kundër Vllaznisë
në Shkodër (2008-2009).
ZHGËNJIM I MADH
Tirana e nisi sezonin me një hap të madh fals në kryeqytet, duke
dëshmuar pak nga imazhi i një kampionie në fuqi. Bardheblutë humbën 3-1
me Flamurtarin në “Qemal Stafa”, stadium ku kishin triumfuar një javë
më parë në finalen e Superkupës pikërisht kundër Flamurtarit (1-0).
“Pësuam dy gola të shpejtë për fajin e vendosjes keq të mbrojtjes
(Alvizh në të 11’ dhe Rroshi në të 18’). Më pas erdhi momenti i
penalltisë dhe ekipi mbeti me dhjetë futbollistë (Lila). Ekipi ka qenë
në një ditë të keqe. Patëm disa probleme në formacion para ndeshjes, të
cilat nuk mundëm t’i zgjidhnim. Mendoj se Flamurtari e meritoi
denjësisht fitoren”, - tha për mediat trajneri i pestë i huaj i Tiranës
dhe tekniku i dytë i huaj i Tiranës që fiton një trofe me rekordmenët e
Shqipërisë, pas hungarezit Temeshvari, i cili fitoi po Superkupën e
vitit 2000 (13 janar 2001).
KUNDËR “UJQËRVE”
Tirana do të luajë në javën e dytë kundër Skënderbeut, që nga ana e
tij fitoi në javën e parë me Laçin 4-3, duke qenë njëherësh dhe skuadra
që shënoi më shumë gola atë javë. Te skuadra korçare spikatën dy
futbollistët kroatë, Guerrib (realizoi dy gola) e Rukavina (1 gol), të
cilët i kanë dhënë një profil të qartë sulmues “ujqërve të dëborës”.
Pikërisht ndaj këtyre, por dhe dy kroatëve të tjerë, portierit Tomasiç
e mbrojtësit Djarmati, do t’i duhet të përballet trajneri Lonçareviç në
një sfidë “kroate” trajner-lojtarë. Për Tiranën në ndeshjen kundër
Flamurtarit nuk luajti qendërmbrojtësi Tefik Osmani (i dëmtuar), por
ndaj Skënderbeut trajneri Lonçareviç do të ketë mungesën e detyruar të
mbrojtësi të Kombëtares, Andi Lila, i ndëshkuar me karton të kuq ndaj
vlonjatëve. Tiranës mund t’i rikthehet sulmuesi Enco Malindi për
ndeshjen kundër Skënderbeut, e në dispozicion të trajnerit janë të
gatshëm edhe mbrojtësi Nevil Dede, si dhe dy mesfushorët Ervis Sina e
Juljan Ahmataj.
Java e parë e Tiranës
Dhjetë sezonet e fundit
Sezoni 2009-2010
Tirana-Flamurtari 1-3
Sezoni 2008-2009
Vllaznia-Tirana 0-0
Sezoni 2007-2008
Flamurtari-Tirana 1-0
Sezoni 2006-2007
Elbasani-Tirana 2-2
Sezoni 2005-2006
Vllaznia-Tirana 1-2
Sezoni 2004-2005
Tirana-Shkumbini 1-0
Sezoni 2003-2004
Lushnja-Tirana 0-6
Sezoni 2002-2003
Apolonia-Tirana 0-2
Sezoni 2001-2002
Luftëtari-Tirana 1-2
Sezoni 2000-2001
Skënderbeu-Tirana 1-3
Sërish Flamurtari
Statistikat ofrojnë një të dhënë interesante. Për herë të fundit
bardheblutë e kishin edicionin me humbje po me Flamurtarin: në
edicionin 2007-2008, Tirana, atëherë e drejtuar nga Sulejman Starova
humbi 1-0 me pikërisht Flamurtarin, me një gol të realizuar nga Franc
Veliu në minutën e 89-të. Pas vetëm tri ndeshjeve në drejtim të
bardhebluve, Starova u shkarkua.
Firmos edhe Sina
Tirana vazhdon të godasë në merkato, edhe pse bëhet fjalë për
rikthime lojtarësh në shtëpi. Pas nënshkrimit mbrojtësin me përvojë
Nevil Dede dhe mesfushorin e majtë, Juljan Ahmataj, një tjetër lojtar
me peshë firmosi për kampionët në fuqi. Fjala është për “pistonin” e
majtë, Ervis Sina, që u ribashkohet bardhebluve pas një sezoni mungesë.
Sina ishte pjesë e Dinamos sezonin e kaluar.
Kontrasti
Serbi Karishik e nis me fitore
Ndërsa trajneri kroat i Tiranës, Ilija Lonçareviç, vuajti minuta të
tmerrshme në bankinë, duke “shijuar” humbjen ndaj Flamurtarit (1-3), dy
orë më parë (të ditës së diel), në Fier, trajneri i Apolonisë, serbi
Esad Karishik, ishte në “ekstazë” pas fitores së bujshme 2-0 kundër
Teutës. Të gjithë e panë serbin – është në sezonin e tij të dytë me
Apoloninë – të puthte si një baba i shembullor goleadorin e dyfishtë
Erjon Hotin, shkodranin që i dha tri pikët e para një Apolonie shumë
ambicioze në sezonin e ri.
“Hakmarrja”
Një vlonjat kundër vlonjatëve
Duket si histori “hakmarrje”, dhe në fakt edhe mund të konsiderohet
kështu. Një vlonjat që ndëshkon në vazhdimësi skuadrën në të cilën
është rritur e formuar si futbollist.
Sulmuesi vlonjat Arbër Abilaliaj ishte autori i golit të vetëm të
Tiranës në humbjen kundër Flamurtarit. Për ish-futbollistin e
Partizanit e Besës, ky ishte goli i dytë në dy takime zyrtare me
Tiranën, duke marrë në konsideratë edhe golin e shënuar në finalen e
Superkupës së Shqipërisë, pikërisht kundër Flamurtarit.
Si i kanë nisur edicionet
trajnerët e huaj të Tiranës
Miklosh Temeshvari
(Hungarez)
Sezoni 2000-2001,
Skënderbeu-Tirana 1-3
Trajneri hungarez Miklosh Temeshvari fitoi 3-1 me Skënderbeun në
transfertë. “Profesori” dha dorëheqjen pas 21 javësh, pas një humbje të
Tiranës me Tomorin (1-0). Gjithsesi, Temeshvari fitoi Superkupën e
Shqipërisë, duke mundur Teutën 1-0.
Enver Haxhiabdiç
(Boshnjak)
Sezoni 2002-2003,
Apolona-Tirana 0-2
Boshnjaku i urtë, Enver Haxhiabdiç, e nisi me një fitore 2-0 në
transfertë me Apoloninë e Fierit, por e shkarkuan pas humbjes 2-0 me
Partizanin, më 22 nëntor 2002, kur kishte vetëm 9 javë në drejtimin e
bardhebluve e kryesonte renditjen.
Leonardo Menikini
(Italian)
Sezoni 2005-2006,
Vllaznia-Tirana 1-2
Italiani Leonardo Menikini, një ish-ndihmës i Fabio Kapelos, fitoi
në javën e parë me Vllazninë në Shkodër (1-2), por u shkarkua pikërisht
pas barazimit 4-4 me Shkumbinin, në javën e 11-të të kampionatit, më 12
nëntor 2005.
Bllazh Slishkoviç
(Boshnjako-kroat)
Sezoni 2008-2009,
Vllaznia-Tirana 0-0
Në sezonin e kaluar, 2008-2009, trajneri boshnjako-kroat, Bllaz
Slishkoviç, barazoi 0-0 me Vllazninë në Shkodër. “Diktarori” Slishko e
la aventurën e tij në krye të bardhebluve pas javës së 14-të, pas
barazimit 2-2 me Partizanin.
Ilija Lonçareviç
(Kroat)
Sezoni 2009-2010,
Tirana-Flamurtari 1-3
Trajneri kroat Ilija Lonçareviç bëri nisjen më të keqe nga të pestë
trajnerët e huaj që kanë drejtuar 24-herë kampionët e Shqipërisë.
“Mustaqja” humbi 3-1 me Flamurtarin në kryeqytet, kundër ekipit ndaj të
cilit fitoi Superkupën.
Gramozi, debutim historik pa humbje
Gramozi e nisi aventurën e tij historike në Kategorinë Superiore,
me një barazim me vlerë kundër Shkumbinit (0-0). Edhe pse djemtë e Ilir
Qirjakos nuk mundën të shënonin golin e parë në Superligë, të gjithë në
Ersekë e konsideruan një barazim dinjitoz të arritur në një ndeshje me
shumë emocione. Trajneri Ilir Qirjako u shpreh entuziast për mediat pas
debutimit të tij kompeticionin maksimal të futbollit shqiptar.
“Ndeshjet e fillimi kanë ngarkesë emocionale. Loja kishte grinte dhe
karakter. Kemi ende nevojë për kolaudim dhe organizim. Kampionati sapo
ka filluar dhe është i gjatë, prandaj na mbetet të punojmë akoma më
shumë”. Në gjirin e skuadrës kolonjare ka dy lojtarë kosovarë, Liridon
Kukaj dhe Genci Hyseni, të cilët kanë qenë edhe ndër më të mirët në
përballjen me peqinasit e drejtuar nga Gugash Magani. “Gramozi është
vërtet ekip debutues, por ka luajtur jashtëzakonisht mirë, si një ekip
që e njihte mirë Superligën”, - tha pas ndeshjes trajneri i Shkumbinit.
Në javën e dytë, Gramozi do të luajë në Laç, ndaj një ekipi që e njeh
shumë mirë, pasi të dy kanë ardhur nga Kategoria e Parë, ndërkohë që në
javën e tretë do të presë në shtëpi, Tiranën, kampionen në fuqi.
E Hene, 31 Gusht 2009