E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katërshja nesër prezanton 'lëvizjen për mendim ndryshe'

TIRANË- Socialistët që tentuan të kandidojnë për kryetar partie, tashmë shprehen se do të ngrenë një lëvizje që e kanë cilësuar 'për mendim ndryshe'. Nismëtarë janë, Arben Malaj, Ben Blushi, Andis Harasani, dhe Kastriot Islami. Arben Malaj doli sot në konferencë për shtyp ku u shpreh se "nesër do të kemi një takim me publikun, për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, por është një përgjegjësi që duhet maksimizuar".

Sipas tij, Partia Socialiste duhet të plotësojë misionin e saj në opozitë dhe duhet të japë kontributet modernizuese në politikën shqiptare. Malaj tha se opozita bëhet më e fortë në Parlament, duke qartësuar se kjo katërshe është kundër bojkotit.

"Ne do të kishim një mundësi të plotë, të bënim një opozitë të plotë për qeverinë e krijuar pikërisht në parlament, aty ku kemi edhe mandatin tonë. Sapo të na jepet kjo mundësi, kjo opozitë do të jetë e plotë, e qartë për të gjitha rreziqet dhe për të gjitha defektet që kjo qeveri mund të sjellë në qeverisjen shqiptare", u shpreh Malaj. Ndërsa të plotë, platformën e tyre, katër kundërshtarët e kryetarit Rama në PS do ta servirin nesër.

Kujtojmë se Arben Malaj dhe Ben Blushi shpallën edhe kandidaturat për kryetar partie, para kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së. Me të paraqitur rezolutën e Blushit për zgjedhjet që mori vetëm 13 vota në kongresin me 150 delegatë, të dy lanë garën për kryetar partie.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›