E Hënë, 2 Nëntor 2026

“K’cimi i Tropojës” ngjitet në skenën e TKOBAP për të festuar përfshirjen në UNESCO

Mbrëmjen e 25 prillit, në Sallën e Koncerteve të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u mbajt një ceremoni artistike e veçantë, dedikuar përfshirjes së “K’cimit të Tropojës” në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s, ngjarje e cila u regjistrua në dhjetor të vitit 2024, në Asuncion të Paraguait.

“K’cimi i Tropojës” u ngjit në skenën e TKOBAP-it, duke sjellë për publikun një rapsodi të gjallë lëvizjesh: rrjedhën e furishme të lumit, lindjen e hënës mbi bjeshkë, shpërthimin e furtunës dhe qëndrueshmërinë e shkëmbinjve. Performanca ishte një përjetim artistik i thellë i shpirtit të Tropojës, mishëruar përmes lëvizjeve plot energji dhe emocion të artistëve të të gjitha moshave.

K’cimi i Tropojës, ose K’cim veni është një vallëzim karakteristik i banorëve të zonës së Tropojës, i cili interpretohet në një shumëllojshmëri vallëzimesh, si vallet e dasmës, vallja e grave, vallja e burrave, vallja e nuseve të reja, vallëzimi i vajzave, vallja e shqiponjës e të tjera. Në disa variante ai shoqërohet edhe me tekst. Fushat e trashëgimisë ku klasifikohet ky element përfshijnë traditat dhe shprehjet, artet performuese, praktikat shoqërore, ritualet dhe ngjarjet festive dhe njohuritë dhe praktikat në lidhje me natyrën dhe universin.

Regjistrimi i “K’cimit të Tropojës” në UNESCO është rezultat i një procesi të gjatë dhe të përkushtuar që nisi në vitin 2017 me kërkesën e Bashkisë Tropojë për njohjen kombëtare të këtij elementi dhe kulmoi me dorëzimin e dosjes së nominimit pranë UNESCO-s në vitin 2023 dhe për t’u shpallur përfundimisht në vitin 2024 Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit të UNESCO-s. Iniciativa u udhëhoq nga shoqata “K’cimi i Tropojës”, me në krye Mjeshtrin e Madh z. Skënder Haklaj, dhe u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Tashmë “K’cimi i Tropojës” nga pjesë e gjallë e jetës kulturore të banorëve të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, me krenari, shtrihet edhe më tej në Diasporën shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›