Kë të zgjedhim? Të gjithë janë njësoj
Elian Gjini/Central European University, Budapest
-(vijon) Një sipërmarrës ka dëshirë të hapë një fabrikë apo punishte dhe i duhet të bisedojë më zv. ministra e ministra, dikush shkon në spital për një lindje, vdekje apo ndonjë hall tjetër. Për një shumë të caktuar halli të zgjidhet (ose edhe jo, por çfarë rëndësie ka kur qeraja paguhet njëlloj?). "Mos argumento, por paguaj!" thotë ai që 'e di'. Ajo është taksë mbi konsumatorin - mbi popullin më mirë të themi, sepse paguan dyfish, edhe për fondet e mirëmbajtjes së shëndetit edhe kur konsumon një shërbim. Dikush tjetër është duke shkuar nga një qytet në tjetrin me makinën e vet për punën apo hallin e vet. Çdo 15 km kontroll. "Gjobë", thotë polici, "sepse ishe shpejt", dikush tjetër shkon në bashkinë e lagjes për një problem. I duhet të presë (taksë gjithashtu) për personin që i 'di' gjërat në të vërtetë. Një leje shtëpie, një dokument familjar etj., motoja është "Mos argumento, por paguaj"...Të gjitha këto të mësipërmet, e shumë të tjera, janë ato që në gjuhën e ekonomistëve quhen kosto transaksionesh (kosto të veprimtarisë së shitblerjes). Janë këto që deformojnë strukturën e ekonomisë nga ata që 'i dinë' gjërat dhe që udhëheqin drejt 'progresit.' Motoja e tregut të lirë është që çdo transaksion kryhet nëpërmjet një kontrate, ku dy persona hyjnë në të, të lirë. Drejt progresit, nëpërmjet tregut të lirë, shqiptari po shkon nën pranga. Taksat e mësipërme nuk janë gjë tjetër, por pranga për atë që nuk është i lirë. Dhe shqiptari ka të drejtë kur bërtet për liri e drejtësi - si një skllav i vërtetë sepse vetëm ai kërkon liri e drejtësi (nëse e di se çfarë është, natyrisht) - sepse këto koste të transaksionit e kanë zhytur deri në grykë e i kanë marrë frymën. Nuk jemi as të parët e as të fundit që ndeshemi me probleme të tilla, por një pyetje shtrohet: Si i bëhet? 'Pozita' nuk është gjë tjetër veçse çelësi magjik për 'një qera' të majme. Nuk është çudi kur dëgjon kandidatët të bërtasin e ulërasin 'pallavra' gjatë zgjedhjeve. Prifto-politikani që bërtet më shumë ka shanset më të larta për bekimin nga perëndia për të 'ditur' më shumë dhe pasur 'çelësin' për tek e 'vërteta. Ai që premton e manipulon më shumë ka shanset më të mira për të marrë bekimin e popullit, që ky i fundit të vazhdojë të jetë nën pranga, të vazhdojë të thotë "rri se jemi mirë!" - të vazhdojë me dorën në xhep në tregun e lirë shqiptar. Si i bëhet? Konkurrenca i zgjidh kollaj gjërat sepse, sipas të lashtëve (Pythagoreans), ai që fiton në garë është më i miri dhe meriton titullin e më të mirit. Këtij titulli i shtohet automatikisht nga ungjilli titulli 'më i dituri,' i jepet edhe bekimi, dhe prifto-politikani laik bëhet i denjë e i autorizuar të udhëheqë drejt progresit.
Kë të zgjedhësh? Të gjithë janë njëlloj!
Aristoteli thotë se 'udhëheqësi' dhe 'ata që udhëhiqen' janë një; populli do thoshte 'sipas kokës edhe festja.' Ndryshe mund të jetë, 'si ata që zgjidhen edhe ata që zgjedhin janë një.' Në kohën moderne këta të fundit kanë shumë në dorë, si kë të zgjedhin ashtu edhe kërkesën e llogarisë. Një votë nuk e sjell ndryshimin, të gjitha PO. Një dru nuk e bën një pyll apo një dallëndyshe nuk e sjell pranverën. Por nëse të gjithë ia lënë në dorë "shansit" të vendosë dhe vazhdojnë rutinën e përditshme "se këtu nuk bëhet," natyrisht që edhe rezultati do jetë i tillë, po i njëjtë. Ata që vendosin, vendosin edhe për ju që nuk vendosni. Pyetja, si gjithmonë, është: Kë të zgjedh? Zgjidh një tjetër, atë që 'nuk di' por është i aftë dhe dëshiruar të mësojë e dëgjojë. A ekziston dikush që ka thënë (dhe thotë) se "'nuk e di' por eja ta diskutojmë"? Ai/ajo që "nuk di" qëndron më lartë, në terma relative, sesa ai 'prifto-politikani' që i di gjërat. Ai që thotë unë (pra partia jonë) e di - e di veda - është i destinuar të dështojë dhe mbajë nën pranga ata që kujtojnë se janë 'të lirë.' Dhe nëse një gjë dihet me të vërtetë, është fakti që politika duhet lënë jashtë duarve të atyre që 'i dinë gjërat.'
Ç'do të thotë ndryshim?
Kur klasa e re e prifto-politikanëve laikë erdhi në pushtet ata premtuan, dhe populli gjithashtu kërkoi, 'ndryshime.' Si mund të bëjë ndryshim dikush që udhëheq, dhe populli gjithashtu të presi ndryshime, kur të njëjtat gjëra thuhen e bëhen përditë? E njëjta gjuhë e bastarduar përdoret përditë! Si mund të ketë ndryshim kur rutina e përditshme është po ajo, ditë mbas dite, për të gjithë? Ndryshimi kërkon një gjuhë të re, koncepte të reja, promovues të rinj, ide dhe praktika të reja - një lloj revolucioni - por që të gjitha këto duhet të gjejnë aplikim në mjedisin shqiptar. Ndryshimi kërkon besim! por edhe reflektim e kritikë. Ta themi ndryshe, dikush mund t'i bëjë një pyetje vetes, "çfarë bëra sot ndryshe nga herët e tjera?" Nëse përgjigja është "asgjë," atëherë "asgjë" nuk duhet ndryshuar. Çdo gjë është mirë. Të gjithë flasin se janë të pakënaqur dhe duan që gjërat të ndryshojnë, por askush nuk është i gatshëm të ndryshojë sikur edhe një gjë të vogël në 'rutinën' e vet të përditshme. Në përgjithësi flitet se ka varfëri, tregohen me gisht lagjet e varfëra apo njerëzit të cilët marrin ushqime me tollona apo shënojnë emrin nëpër lista. Por prapë askush nuk është i gatshëm të bëjë një punë vullnetare tek ajo lagja e varfër, të ndihmojë dikë sesi të gjejë punë (dhe jo thjesht të çojë një pjatë supë sepse zgjat situatën), t'i japë forcë e shpresë dikujt se jeta ia vlen të jetohet, dhe udhëzojë dikë se duhet të ketë shpresë e besim - besim tek vetja dhe komshiu e komuniteti. (Për të dalë pak jashtë teme, shkollat dhe universitetet duhet të jenë të parat të vendosin 'vullnetarizmin,' bizneset gjithashtu). Shumë flitet për të tjerë si në media dhe në diskutime private dhe kjo është shenjë e mirë sepse tregon që në një lloj forme dikush 'kujdeset.' Por a është kjo forma e përkujdesjes? Mendoj që jo! Madje do shtoja që është hipokrite. Hipokrizia qëndron në atë që gishti për çdo gjë i vihet 'shtetit.' Pallate e zona publike që janë të papastruara shihen gjithandej - por fajin e ka shteti! Plehra të ndryshme hidhen nëpër plazhe e zona bregdetare - fajin e ka shteti! Shpresa ka 'humbur,' besimi tek njëri-tjetri, apo tek shoqëria (meqë jetojmë në shoqëri), është jo-ekzistent; për ndihmë të mirëfilltë apo punë vullnetare në njësi pallati (shkalle) apo lagje e institucione nuk bëhet fjalë. Por guximin injorant e kemi të themi "fajin na e ka shteti!" "S'ka ligj," thotë skeptiku; "nuk ka shtet" thotë pagani - "kush e ka fajin?" pyet dikush tjetër. "Shteti", përgjigjen budallenjtë. E përkthyer në shqip, "nuk ka shtet" sepse "e ka fajin shteti". Ndryshimi fillon në vetvete dhe në familje, në shkallë e komunitet, dhe siç i thonë shprehjes, "asnjë lëvizje nuk fillon me arsyetime por me besim." Me besim zhduken dhe të pa'udhët.