Deklaratat mpirëse të faktorit ndërkombëtar
Denis Malushi / student në Drejtësi
-Mbas ngjarjeve tragjike të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe shumë të tjerë u plagosën, ku nuk mungoi dhe dhuna e paprecedentë e policisë, ku pamjet e të cilëve më ngjasonin me “reprezaljet naziste kundër popullit Hebre”, isha i sigurt që institucionet Shqiptare, sa të paafta aq edhe të korruptuara nuk do të jepnin drejtësi. Megjithatë duke qenë se ngjarjet ishin shumë të qarta, shpresoja se Faktori Ndërkombëtar këtë radhë do të jepte sinjale të forta, si për të gjithë opinionin, ashtu edhe për vetë institucionet, duke treguar me gisht fajtorët. Por...u gabova! Duket sikur koncepti i fjalës “Demokraci” ndryshon kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Qëndrimi i Ndërkombëtarëve ishte i njëjtë me atë te Gërdecit, ku u mjaftuan thjesht me një “Të zgjidhet çështja në mënyrë të pavarur”, të Zgjedhjeve te kompromentuara, në të cilat edhe pse manipulimet u panë qartë nga të gjithë, u mjaftuan me një “Probleme kishte, por pati dhe përmirësime” duke “mbështetur” gjithmonë shkaktarët. Cikël poetik zvarritjesh dhe kundër zvarritjesh, raportesh e kundër raportesh dhe mendimesh konsultative. Me këtë qëndrim ato na tregojnë se popullit të Shqipërisë nuk i lejohet të protestojë si gjithë popujt e lirë të Europës, duke kujtuar studentët e Romës, protestat e te cilëve ndalën brenda Senatit. Pa harruar protestat e Londrës ose kohëve të fundit në Athinë, ku dhuna ndaj policisë nuk mungoi por munguan viktimat. Ndryshe për Shqiptarët edhe po t’i ndëshkosh deri në vdekje është legjitime, vetëm të mos cenohet stabiliteti, një stabilitet përmes frikës. Dhe mjaftohen duke ngushëlluar dhe duke kërkuar vakët drejtësinë në raste përvjetorësh. A thua sikur kriminelët kane ikur në drejtim te paditur dhe jo në zyrat e tyre shtetërore. Topi është në fushën e drejtësisë por të mos gënjejmë veten, të shohim realitetet e hidhura, të konstatojmë mjerimet dhe t’i gjejmë ilaçin. Shqipëria është një trup i shoshitur prej sëmundjeve kronike i qëndisur me plagë dhe stigmata të përleshjeve për vdekje. Dy vjet pas ngjarjeve që tronditën mbarë opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar Shqiptarët janë të sigurtë, që një “burrë shteti” duhet të ketë mbi kurriz patjetër përgjegjësinë e protestuesve të vrarë.