E Diel, 1 Nëntor 2026

Kedhi: Raporti i DASH konstaton probleme me korrupsionin, drejtësinë, prokurimet dhe median

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, duke e cilësuar dokumentin si një “aktakuzë të qartë” ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.

Në një deklaratë për mediat, Kedhi u ndal te problematikat që, sipas tij, evidentohen në raport, duke përmendur korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, informalitetin, konkurrencën e deformuar dhe emigrimin.

Sipas tij, raporti konstaton probleme me korrupsionin në administratë, sistemin e drejtësisë, prokurime dhe media. Kedhi tha se paratë e lidhura me trafikun e drogës dhe evazionin fiskal ndikojnë në konkurrencën në treg, ndërsa investitorët raportojnë rrezik nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.

Një tjetër çështje e ngritur nga nënkryetari i PD ishte ligji për investimet strategjike.

“Raporti e thotë hapur edhe atë që shqiptarët e dinë prej kohësh: ligji për investimet strategjike perceptohet si skemë që ka favorizuar kompani vendase të lidhura me mazhorancën. PPP-të ulin konkurrencën dhe vuajnë nga analiza e dobët teknike. Ndërmarrjet shtetërore shtohen, bordet e tyre emërohen pa konkurrim dhe rreziku i ndërhyrjes politike është i lartë”, tha ai.

Në deklaratën e tij, ai përmendi gjithashtu problematikat që lidhen me zbatimin e kontratave, vonesat në gjykata dhe çështjet e pronësisë.

“Prona mbetet ndër sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit. Ka tituj të mbivendosur, manipulim të gjykatave dhe kompensim nën vlerën e tregut për shpronësimet”, tha ai.

Kedhi e cilësoi shpopullimin si një nga pasojat më të rënda të situatës ekonomike dhe sociale.

“Pasoja më e rëndë është shpopullimi. Rreth 40% e fuqisë punëtore punon jashtë vendit. Shkaqet janë varfëria, pagat e ulëta, korrupsioni dhe klientelizmi. Këto nuk i thotë vetëm opozita. I thotë prej shumë vitesh tashmë dhe aleati ynë strategjik. Më e rëndësishmja, këto i ndjejnë dhe i shohin qytetarët përditë”, tha ai.

Kedhi tha se opozita synon forcimin e shtetit ligjor, rritjen e transparencës në prokurime dhe garantimin e sigurisë së pronës.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›