Kejn falenderon stafin e hotelit, merr shtëpi që të ketë vend

Herri Kejn ka qenë protagonist ditën e sotme një postim të bërë në rrjetet sociale ku komunikoi se është përshtatur plotësisht me jetën në Mynih ku edhe ka marrë një shtëpi me qira.
Siç dihej sulmuesi I Bajernit të Mynihut që prej momentit kur mbërriti në Bavari ishte sistemuar në hotelin luksoz “Vier Jahreszeiten Kempinski”. Në objektin e ndërtuar në 1958-ën, 30-vjeçari kishte marrë me qira një dhomë të madhe, e cila I kushtonte rreth 10 mijë euro nata.
Pak javë më parë, kur Kane mori topin me vete, pas “trisit” të radhës, Tomas Myler kishte bërë disa batuta me kolegun e repartit duke “e këshilluar” që të merrte një dhomë edhe për trofetë, të cilët do të ishin të shumtë në Mynih.
Kaluan pak muaj dhe Kejn transferohet me të vërtetë në një shtëpi, ku siç ka lajmëruar ai vetë pas festimeve të fund vitit do t’i bashkohet edhe bashkëshortja së bashku me katër fëmijët e tyre, të cilët deri më tani kanë jetuar në Londër.
“Falenderoj shumë stafin e hotelit, i cili më bëri të ndihem si në shtëpi që prej momentin kur mbërrita në Mynih. Më ndihmuan që të ambientohesha mjaft mirë. Tomas Myleri kishte frikë se nuk do të kisha më vend për trofetë prandaj mendova se kishte ardhur koha që të transferohesha në një shtëpi së bashku me familjen time”, ishte mesazhi i bomberit anglez.