Zgjedhjet në Serbi/ Protesta e opozitës, raportuesi i PE: Nuk kemi vërejtur parregullsi sistemike

Lista “Serbia nuk duhet të ndalet” e udhëhequr nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq siguroi shumicën e votave në zgjedhjet e mbajtura, duke u votuar nga 1,752,304 qytetarë.
Por ndërsa opozita serbe nisi protestat duke kërkuan anulim dhe përsëritje të zgjedhjeve, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, deklaroi se delegacioni vëzhgues i PE nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi sistematike gjatë zgjedhjeve.
Ai ka sqaruar se gjatë votimit janë vërejtur parregullsi, por që nuk kanë qenë të mëdha.
“Ajo që kemi vënë re është se zgjedhjet janë zhvilluar mirë, janë menaxhuar mirë. Ka disa parregullsi sa i përket raporteve që kemi marrë nga vendet që kemi vizituar për sjelljen e votuesve shtesë, por nuk bëhet fjalë për një numër të madh të votuesve. Gjithashtu në lidhje me blerjen e mundshme të votave, veçanërisht brenda dhe rreth qendrave të votimit. Por përsëri, këto nuk ishin incidente të mëdha, por ato që ne i vëzhguam në një shkallë më të vogël. Pra, në përgjithësi, mendoj se zgjedhjet shkuan pa probleme”, tha Bilçik dhe përgëzoi qytetarët e Serbisë që votuan në numër më të madh se vitin e kaluar.
/rtsh.al/