E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këlcyrë – Përgatitjet për vitin e ri shkollor, ndërhyrje në infrastrukturën e shkollës “Kamber Benja”

Në Këlcyrë kanë nisur herët përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, me synimin për të krijuar kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësuesit.

Arben Zoto, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Kamber Benja”, bën të ditur se pritet një fillim i mbarë i vitit shkollor falë përmirësimeve të ndjeshme në infrastrukturë dhe pajisjes me bazë materiale.

“Këtë vit shkollor, punimet janë në normalitet dhe gjithçka është në shkallën më të mirë të mundshme, që nga pamja e mjediseve të jashtme, por edhe mjediset e brendshmet, korridori, klasat, pajisjet…” thotë z. Zoto.

Shkolla 9-vjeçare ”Kamber Benja” ka pësuar një transformim të dukshëm. Këtë vit do të jenë në funksion edhe dy kabinete mësimore, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor.

“Kabineti i fizikës është i kompletuar me gjithçka që mund të ketë një kabinet fizike. Mësuesi i fizikës është tepër i kënaqur për detajet më të hollësishme. Edhe kabineti i kimisë dhe i biologjisë është pothuajse i kompletuar,” shtoi drejtori i shkollës.

Ndërkohë, në disa shkolla të tjera të Bashkisë Këlcyrë pritet që përpara datës 8 shtator të përfundojë pajisja me materialet e nevojshme, përfshirë banka, karrige dhe pajisje të tjera shkollore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›