E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Këlliçi: Do të bëhet audit për lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia Tiranë, si dhe për inceneratorin

Kandidati i ‘Rithemelimit’ të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, deklaroi nga zona e “5 majit” se do të dëmshpërblej me vlerën e tregut të gjithë banorët, të cilëve, kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, “u ka prishur shtëpitë”.

Sipas tij, nuk është vetëm kjo zonë ku kanë ndodhur prishjet e shtëpive, por edhe në Shkozë, Laprakë, Unazë të Re, Myslym Keta, me qëllim që, sipas tij, “qytetarëve t’u vidhen pronat”.

“Ajo që ka ndodhur këtu në “5 maj” është në kufijtë e genocidit. Nuk mundesh t’u shkosh qytetarëve të tu me gazlotsjellës, t`i terrorizosh në mes të natës, të nxjerrësh fëmijët nga shtëpitë në mes të rrugës”,- deklaroi Këlliçi.

Gjatë këtij takimi, Këlliçi premtoi edhe auditim të hollësishëm në Bashkinë Tiranë.

“Prokuror dhe gjyqtar nuk marr përsipër të jem, por që në atë bashki do të bëhet një audit i plotë i lejeve të ndërtimit, punëve publike, kontratave dhe inceneratorit të Tiranës, këtë e jap si premtim publik. Për inceneratorin të gjithë ne paguajmë 80 mijë euro në ditë, për një shërbim që nuk kryhet. Që do të mbajë përgjegjësi bashkia e ata që kanë firmosur, këtë e garantoj. Me këtë kryetar bashkie dhe me këtë kryeministër nuk rrezikoni vetëm ju. Këta i kanë vënë syrin gjithë Tiranës për t`iu grabitur pronën qytetarëve. Ky shqetësim që keni ju është prezent në të gjithë qytetin”,- u shpreh Këlliçi.

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës premtoi se zona e 5 Majit do të zhvillohet dhe nuk do të jetë më një provincë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›