E Diel, 1 Nëntor 2026

Këlliçi: Qytetarët po protestojnë për aferat korruptive, nuk mund të refuzoni realitetin

TIRANË, 30 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi po debaton sot lidhur me kërkesat e Partisë Demokratike për dy mocione me debat.

Grupi parlamentar i PD-së ka paraqitur në Kuvend kërkesën për zhvillimin e mocionit me debat lidhur me kërkesat e qytetarëve në protesta dhe për rezolutën e Parlamentit Europian në raportin e Komisionit Europian të vitit 2025 për Shqipërinë.

Gjatë parashtrimit të argumenteve në seancë plenare, deputeti i PD-së Belind Këlliçi u shpreh se qytetarët nuk protestojnë për një parti, për një slogan apo një aferë të vetme korruptive.

“Ata protestojnë kundër një modeli që e ka kthyer shtetin shqiptar në pronë private. Këtu  ligjet ndryshojnë sipas porosisë së vetë klientëve dhe zonat e mbrojtura shihen si mundësi biznesi”, shtoi Këlliçi.

Po ashtu, Këlliçi theksoi se trashëgimia kulturore trajtohet si pengesë për betonin dhe investimet strategjike janë kthyer në privilegje strategjike të shpërndara me dorë, jashtë çdo procedure ligjore.

“Ndaj për këtë kërkuam një debat parlamentar sepse ky Kuvend nuk mund të sillet sikur jashtë këtyre mureve nuk po ndodh asnjë gjë. Ju refuzuat debatin por nuk mund të refuzoni realitetin”, tha Këlliçi.

Duke folur për librin “Dosjet e Shqipërisë”, Këlliçi theksoi se vendimi për pasuritë publike të vendit lind nga marrëdhënia personale me kryeministrin dhe jo nga institucionet e Shqipërisë.

“Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në vendin ku telefoni zëvendëson ligjin, ku qytetarët mësojnë për një projekt vetëm kur vinçat janë futur në punë. Ku nuk është një standard europian, ky është një pushtet personal i kthyer në grabitje”, u shpreh ai.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›