Këlliçi: Shqipëria po privatizohet nga miqtë e Edi Ramës!

Të nderuar kolegë,
Shqiptarët që na ndjekin këtu dhe kudo në botë, në fakt presin qe ky Komitet te mbajë një qëndrim të qartë, më saktë presin në mënyrë te veçantë që eurodeputetët prezentë, të shprehen se cili është standardi europian dhe modeli europian që Shqipëria duhet të ndjekë.
Sot unë do të flas për ekonominë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Shqiptarëve po i shitet si “epokë e artë” një ekonomi që ka humbur strukturën e vet, prodhon gjithnjë e më pak nga ajo që konsumon, por ndërton gjithnjë e më shumë nga ajo që qytetarët e saj nuk përballojnë dot më.
Modeli aktual ekonomik i Shqipërisë nuk është as i qëndrueshëm dhe as gjithëpërfshirës. Përkundrazi, prej me shumë se një dekade, po na çon drejt një rreziku strukturor afatgjatë.
Ky model është mbështetur në dy këmbë që mezi mbahen: turizëm dhe beton masiv.
Po investojmë miliarda në infrastrukturë publike dhe private që shfrytëzohet vetëm për disa javë në vit. Ky sezonalitet krijon një presion të jashtëzakonshëm mbi çmimet dhe burimet tona. Mbi të gjitha, turizmi masiv është një sektor me produktivitet të ulët, punësim sezonal, paga të ulëta, fitim neto minimal. Pjesa më e madhe e parave që hyjnë nga turistët, dalin menjëherë jashtë për të importuar ushqimet dhe mallrat që ata konsumojnë, sepse prodhimi ynë vendas nuk ekziston.
Qeveria flet për zhvillim të qendrueshëm në turizëm, një strategji serioze do të duhej të sillte të paktën rritje në një tjetër sektor jetik. Paradoksi që po vret ekonomine shqiptare është se turizmi propagandohet si motor i vërtetë zhvillimi, kur bujqësia po lëngon. Pa njerëz nga shpopullimi masiv, pa konkurrencë nga oligopolet e inputeve dhe si të mos mjaftojë edhe pa subvencionet e Europës. Fondet IPARD prej 3 vitesh janë të bllokuara, hetimet e SPAK zgjaten prej 6 vitesh pa gjetur asnjë përgjegjes për dhjetra miliona euro të zhdukura, e për pasojë tokat bujqësore i jepen grupeve kriminale, familjarëve të Deputetëve apo prestanomeve të zyrtarëve të lartë për të ndërtuar parqe fotovoltaike.
Ndërsa turizmi po shfrytëzon burimet pa prodhuar ekonomi, betoni po ia heq oksigjenin e fundit zhvillimit. Bumi i ndërtimit në thelb është një flluskë që po rrezikon çarjen. Lejet e pafundme dhe rritja galopante e kreditimit për ndërtim kanë krijuar një përqendrim të tmerrshëm të rrezikut në sistemin tonë bankar. Një sektor i vetëm po zë kaq shumë peshë në portofolin e kredisë ndërsa çmimet e pronave fryhen artificialisht pa asnjë logjikë tregu. Sot mund ta quajmë bum, por fundi i këtij cikli sjell veç krizë të rëndë financiare.
Por të nderuar kolegë problemi më i madh i iluzionit të zhvillimit të qendrueshëm të vendit nuk është vetëm sa thash më lartë. Kjo nuk është thjesht qeveri mediokre, pa vizion. Sado ftohtë e i painformuar të gjykosh shifrat.
Pamundësia e zhvillimit të Shqipërisë dhe kostoja e saj mbi shqiptarët që prej 115 ditësh (rekord europian) kanë mbushur sheshet duke protestuar është se ne kemi një Qeveri KRIMINALE. Po po, kriminale!
Ja pse! Shqipëria po privatizohet me ligje preferenciale nga miqtë e EDI RAMËS.
Sot turizmi dhe ndërtimi janë industritë ku po bëhet pastrim masiv i parave të krimit dhe korrupsionit, e kjo e faktuar edhe nga hetimet e cunguara të SPAK. Vetëm në dy dosje të bëra publike 3 muaj me parë janë konfiskuar mbi 300 milion euro të cilat ishin investuar në kulla dhe rezorte turistike.
Sot kullat më të mëdha në Shqipëri ndërtohen nga kompani me kapital 1000 euro dhe me aksionerë të cilët ne cv-në e tyre kanë veç punën si shoferë ose kamarierë me pagë 600 euro.
Po po mos u habisni, në Shqipërinë e Edi Ramës një kullë me vlerë 50 milion euro po e ndërton një shofer kamioni, me pagë 600 euro.