Këlliçi: Sistemi TIMS në duart e Mirel Mërtirit, dinte lëvizjet e prokurorit të SPAK-ut, Klodjan Braho

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka denoncuar Mirel Mërtirin që sipas tij ka në duar sistemin TIMS dhe konkretisht lëvizjet e prokurorëve të SPAK-ut.
Këlliçi ka theksuar se Mërtiri i cili është shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve ka të dhënat e sistemit TIMS mbi lëvizjet e prokurorit të SPAK, Klodjan Braho.
“Bashkëlidhur me kallëzimin, Mirel Mertiri kishte vendosur disa dokumente, ku më i rëndësishmi prej tyre, ishin të dhënat e sistemit TIMS, për këtë prokuror.
Vetëm ky fakt, do duhej të kishte tronditur institucionet e shtetit shqiptar, se si është e mundur që një i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare, për vjedhjen e qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit, kishte në posedim të dhëna sensitive për një prokuror të SPAK”, u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi kujtoi se në muajin gusht, të vitit të kaluar sistemi TIMS është vjedhur, “pikërisht në momentin që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, emëroi patronazhistët e tij në krye të strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”. Për këtë arsye ai ka ngritur pyetjen se kush është personi që i ka dhënë Mirel Mërtirit të dhënat e sistemit TIMS.
“Ja ka dhënë vetë Taulant Balla apo shefi i tij në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj?”, pyet Këlliçi. Ai solli në vëmendje se prokurori Klodjan Braho është ai që ka në hetim dosjen e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
“Kujtojmë këtu se është pikërisht ky prokuror, i cili ka në hetim dosjen famoze 5D, të drejtorëve të korruptuar të bashkisë, me në krye Mariglen Qaton, i cili pritet të jetë shumë shpejt kurbani i radhës, njëlloj si Taulant Tusha, për të shpëtuar lëkurën e Erion Veliajt”, tha Këlliçi.
Këlliçi i bëri thirrje drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani të nisë menjëherë hetimet kryesisht për këtë skandal dhe të çojë përpara drejtësisë këdo individ, “që ka cenuar jo vetëm prokurorët apo qytetarët e zakonshëm, por mbi të gjitha ata individë apo zyrtarë, që kanë cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin tonë me aleatët strategjike”.
/rtsh.al/