E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Këlliçi dëshmon në SPAK: Të hetohen paratë e paligjshme të 5D, janë përdorur për fushatë

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, është paraqitur sot në SPAK për të dëshmuar në lidhje me hetimet për dosjen e njohur si 5D. Në një prononcim për mediat, Këlliçi tha se është kërkuar nga SPAK që të mos bëjë publike pjesë që janë sekret hetimor.

Po ashtu Këlliçi foli për përfshirjen e disa individëve të rëndësishëm në këtë aferë dhe ka kërkuar hetimin e thellë të disa personave, përfshirë administratorin Nestor Muhametllari.

“Sot u paraqita në SPAK, në vijim të kërkesës së prokurorit të çështjes së dosjes 5D, z. Klodian Braho, ku pata një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me oficerin e caktuar prej tij të Policisë Gjyqësore, në lidhje me dosjen famoze 5D. Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor dhe që më është kërkuar nga organi i akuzës që të mos i bëj publike, sigurisht që nuk kam ndërmend t’i bëj publike. Por padyshim dua të ndalem pak te kërkesa ime dhe te deklaratat e mia të dhëna edhe para organit të akuzës. Kam kërkuar të hetohet roli i administratorit Nestor Muhametllari, i cili është i lirë dhe nuk ka ende asnjë masë. Mendoj se dëshmia e tij do shërbejë për zbardhjen e kësaj ngjarje”- tha Këlliçi.

Ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës u shpreh se ka kërkuar nga prokurorët e posaçëm po ashtu që të hetohen krimet zgjedhore, duke deklaruar se paratë e paligjshme të firmës 5D-së janë hedhur në fushatë.

“Kam kërkuar t’i shkohet deri në fund rolit të shtetasve Herjon Rrapaj, që kishte nën menaxhim fabrikën e asfaltit në Krrabë ku kryhej evazion fiskal, shtroheshin rrugët me asfaltin e Bashkisë Tiranë, me burime njerëzore të Bashkisë Tiranë, tenderoheshin fiktivisht këto vepra publike, më pas paratë hidheshin në fushatë.

Kam kërkuar nga SPAK të hetohet krimet zgjedhore gjatë periudhës që kanë administruar përgjimet telefonike bazuar në informacionin që kam, Rezulton se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga shtabi elektoral i Veliajt dhe drejtorët e 5 D janë hedhur në fushatë elektorale. Kam kërkuar që të shihet roli i Elton Kacidhes, që është titullar i autoritetit kontraktor”- tha Këlliçi.

Këlliçi ka kritikuar SPAK për mungesën e veprimeve ndaj aferës së inceneratorëve dhe lidhjet e mundshme me figura të njohura politike.

“Vijoj ta kritikoj SPAK-un në raport me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Nuk kam si të mos e kritikoj, kur sot që flasim, ne që jemi këtu paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Kanë kaluar 4 vite nga hapja e kësaj çështjeje, dhe prokuroria ende ka frikë t’i përmendë emrin Erion Veliajt.’- u shpreh Këlliçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›