Kelmendi nderon Kosovën në Botërorin e Xhudos në Brazil
Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi është kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror për të rritur në peshën -52 kg, turne i cili po zhvillohet në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Ajo ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në këtë Botëror, duke arritur deri më tani 3 fitore, të cilat e kanë kualifikuar për në gjysmëfinale, ku pretendon të fitojë dhe më pas të marrë edhe medaljen e artë. Shorti e ka hedhur në grupin A, ku në turin e parë nuk pati rivale dhe në sfidën e turit të dytë ajo ka triumfuar me “ippon” ndaj rivales portugeze Joana Ramos. Më e fortë sfida tjetër e grupit A, ku Kelmendi ka fituar me pikë ndaj rivales franceze Prishila Gneto, duke shkuar kështu në finalen e grupit. Në këtë sfidë të fundit të grupit A xhudistja kosovare ka pasur përballë rivalen gjermane Maren Kraeh, sfidë të cilën e ka fituar sërish me “ippon” shumë shpejt, duke pasur epërsi të padiskutueshme. Ky sukses e ka kualifikuar për në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë japonezen Yuki Hashimoto, fituese në grupin B. Suksesi ndaj aziatikes do ta kualifikonte kosovaren Kelmendi në finalen e peshës -52kg. Xhudistja Majlinda Kelmendi një vit më parë ka garuar në Lojërat Olimpike “Londër 2012” me Shqipërinë, ku arriti një fitore dhe një humbje, duke u eliminuar shumë shpejt dhe nuk hyri dot në zonën e medaljeve. Pas kësaj Olimpiade ajo garon për Kosovën, që tashmë njihet nga Federata Botërore e Xhudos. (Eduard.Ilnica/BalkanWeb)