E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci-Daçiç, takim konstruktiv në Brukse, pa marrëveshje

PRISHTINE- Në Bruksel rreth orës 17:00 përfundoi takimi i përbashkët i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.

Në këtë takim të nisur prej orës 14:00, nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare për telekomunikacion dhe energjetikën.

Raundi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash pritet të mbahet deri më 8 shtator.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi sot se takimi i së martës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, ishte “korrekt dhe konstruktiv dhe me diskutime substanciale dhe konkrete”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e logove të fletëve të votimeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, zoti Thaçi theksoi se është diskutuar “jashtëzakonisht shumë për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, më 3 nëntor, ku do të mbahen për të parën herë në gjithë Kosovën dhe natyrisht, ekziston përkushtimi për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës”.

Ai është shprehur se institucionet e Kosovës nuk do të “ndërhyjnë në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili po e kryen punën e vet në mënyrë të shkëlqyeshme”.

Zoti Thaçi tha se në “KQZ janë të përfaqësuara partitë politike të të gjitha komuniteteve”, kështu që beson se zgjedhjet do të “organizohen sipas standardeve profesionale evropiane”.

Sipas tij, institucionet e Kosovës po bëjnë përgatitje gjithëpërfshirëse për zgjedhje “të lira dhe demokratike”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se sa i përket telekomit dhe energjisë, “kjo çështje definitivisht është përmbyllur dhe pritet të zgjidhet përfundimisht në ditët e ardhshme”.

Ai tha se kanë mbetur “edhe disa çështje teknike, që do të përmbyllen në ditët e ardhshme”.

Hashim Thaçi është shprehur se megjithatë “sa i përket implementimit të marrëveshjes me Serbinë “nuk ka kthim prapa”. 

ASHTON
Kryeministrat Hashim Thaci dhe Ivica Dacic kanë përfunduar takimet me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton. Në fund të takimeve Përfaqësuesja e Lartë nuk ka pasur shumë për të raportuar. Palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për cështjen e telekomunikacionit, energjisë.

Në komunikatën e BE-së është përmendur më së shumti çështja e zgjedhjeve të nëntorit.

"I takova sot në Bruksel Kryeministrin Dacic dhe Kryeministrin Thaçi për të diskutuar një mori cështjesh që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjes së Prillit, vecmas cështjen e zgjedhjeve komunale që do të mbahen 3 nëntor" thuhet në njoftim.

"Të dy Kryeministrat kanë ritheksuar përkushtimin për zgjedhje të suksesshme me një pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme dhe kanë konfirmuar se do të vazhdojnë përgatitjet intensive për një proces elektoral të qetë. Diskutimet tona do të vazhdojnë me 8 shtator" vazhdon njoftimi i zyres per shtyp te baroneshes Ashton.

TAKIM THACI-DACIC PA ASHTON?
Por nga Brukseli bëhet e ditur se Thaçi dhe Dacic për herë të parë në kryeqytetin europian kanë realizuar edhe një takim bilateral, ku nuk ka qenë e pranishme Përfaqësuesja e Lartë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›