Këndi i librit në Prishtinë

Data simbolike për letërsinë botërore, 23 prilli, përkon me lindjen dhe vdekjen e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Servantes, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejía Vallejo.
Kjo datë, e zgjedhur nga konferenca e përgjithshme e UNESCO-s ne vitin 1995, i dedikohet autorëve dhe librave nga e mbarë bota duke i inkurajuar kështu të gjithë, e në veçanti të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit dhe të fitojnë një respekt të ri për kontributin e pakthyeshëm të atyre të cilët dhanë aq shumë për zhvillimin social dhe kulturor të njerëzimit.
Qendra për zhvillimin e Arteve – Artpolis, me përkrahjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe partnerëve të projektit do të realizojë disa aktiviteteve gjatë tërë ditës me 25 Prill në sheshin Nëna Terezë, të cilat synojnë arritjen e këtij qëllimi në Kosovë.
Për të festuar Ditën e Librit janë organizuar Këndi i Librit që mundësohet në bashkëpunim me libraritë e kryeqytetit dhe shtëpitë botuese duke ofruar qindra libra me çmime më të volitshme dhe regjistrimi falas në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, Këndi i Poetëve për fëmijë ku fëmijët do të kenë mundësi që të takojnë dhe dëgjojnë autorët e poezive, Krijimi i librave me poezi, tregime dhe ilustrime nga fëmijët me ndihmën e Artistëve, prezantimi dhe ndarja e çmimeve për pesë lexuesit më të mirë të bibliotekës së Komunës së Prishtinës “Hivzi Sylejmani”, dhe interpretimi i poezive nga autorë të ndryshëm të huaj dhe vendor me përcjelljen e instrumentistëve kosovarë.
Programi
11:00 – 16:00 Mini Panairi i librarive dhe shtëpive botuese të Prishtinës (Dukagjini, Dit’e Natë, Buzuku, KOHA, Titanik, Qendra Multimedia, Hutini books)
11:00 – 16:00 Regjistrimi pa pagesë i lexuesve në Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sylejmani”.
13:00 – 16:00 Këndi i poetëve për fëmijë - Leximet e poezive për fëmijë nga Shkrimtarët për fëmijë – Ibrahim Kadriu dhe Jerina Rrahmani
15:00 – 15:30 Ndarja e shpërblimeve për 5 lexuesit më të mirë të bibliotekës Hivzi Sylejmani
13:00 – 16:00 Krijimi i librave me poezi dhe ilustrime nga fëmijët dhe Artistët e arteve aplikative
13:00 – 16:00 Interpretimi i poezive të autorëve vendas dhe të huaj nga aktorë dhe instrumentistë profesionistë, si Bislim Muçaj, Shengyl Ismajli, Haki Kika, Fitore Broqi etj. /Indeksonline/