Kënga ikonë “Në moshën e rinisë” rikthehet në Fest 64. Gjylbegu: Orkestra e RTSH-së është një krenari kombëtare

Nuk mund të ketë Natë Nostalgjike pa Parashqevi Simakun. Ajo ishte dhe mbetet një nga këngëtaret më emblematike të viteve ’80, një ikonë e Festivalit të Këngës dhe e muzikës shqiptare.
Kënga “Në moshën e rinisë”, me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e 24-t të Këngës, u rikthye në skenën e Fest 64 përmes një interpretimi të ri nga Frensi dhe Rosela Gjylbegu.
Dyshja e risolli këtë perlë të muzikës shqiptare me nota moderne dhe një performancë energjike, duke ngritur publikun në këmbë dhe duke rikujtuar emocionet e një epoke të artë të festivalit.
Këngëtarja Rosela Gjylbegu u shpreh se interpretimi i një kënge ikonë të Parashqevi Simakut është një ndjesi dhe privilegj i veçantë. Ajo vlerësoi punën e stafit, kompozitorëve dhe Orkestrës së RTSH-së, duke i cilësuar si krenari kombëtare.
“ Të këndosh një këngë ikonë është një ndjesi e jashtëzakonshme dhe një privilegj i madh, sidomos kur bëhet fjalë për një këngë të Parashqevi Simakut. Është bërë një punë e jashtëzakonshme. I gjithë stafi dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë organizim meritojnë vlerësimin më të madh, janë heronjtë e këtij festivali, ndërsa Orkestra e RTSH-së është një krenari kombëtare,” tha Gjylbegu.
/rtsh.al/