E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngëtaret "playback", të na lirojnë vendin

Këngëtaret e reja Festina Mejzini, Enca Haxhia dhe Evi Reçi, kanë pak kohë që janë në skenën muzikore.
Duke folur për mediat shqiptare, ato kanë rrrefyer baticat dhe zbaticat që kanë perjetuar në rrugën e muzikës.

Festina Mejzini
”U bë një vit e gjysmë që jam aktive në skenën shqiptare, pasi unë në qytetin tim të lindjes kam marrë pjesë në programet shkollore edhe para X Factor, ndërsa për baticat dhe zbaticat do flisja më mirë për përfitimet sesa humbjet nga muzika. Në rastin tim, X Factor më ka bërë të njohur  gjithandej ku ka shqiptarë për një kohë shumë të shkurtër, kurse në anën tjetër sakrificat apo humbjet janë se jam larg familjes, shoqërisë dhe studimeve. Motivi buron nga muzika e cila është kultivuar nga familja ime, kurse konkurrenca nuk më frikëson, përkundrazi më shtyn që të angazhohem dhe përgatitem akoma më mirë. Në radhë të parë këngëtarët e vjetër janë ata të cilët përcjellin traditën te të rinjtë, ndërsa në gjithë botën e kulturuar këngëtarët e vjetër e kanë vendin në skenën muzikore, kështu që muzika nuk njeh moshë. Për mua më mirë është që këngëtarët të cilët tentojnë që përmes playback-ut dhe formave të tjera të depërtojnë në skenë, t’u lirojnë rrugën talentëve të vërtetë që janë të gatshëm të performojnë live. Porosia ime për këngëtarët me karrierë do të ishte që të vazhdojnë të këndojnë derisa kanë mundësi vokale. Vokali është në radhë të parë, pasi tregu në viset shqiptare është i stërngopur me këngëtarë të cilët më shumë aktrojnë sesa këndojnë”, kështu tregon për "Panorama", eksperiencën e saj si këngëtare Festina Mejzini, pjesëmarrësja e edicionit të parë të X Factor.

Evis Reçi ”Me muzikë merrem që në moshë të vogël, por në mënyrë profesioniste po bëj 6 vite. Vështirësi ka pasur që në fillim shumë, pasi dihet se në botën e artit të jesh artist i ri kërkon shumë sakrifica për të treguar veten dhe për t’u vlerësuar. Një nga faktorët që më bëri të jem aktive, ishte se jam bijë e një muzikanti që më ka edukuar me muzikë klasike. I hyra muzikës se besova tek ajo dhe vetja ime. Kisha shumë dëshirë të këndoja dhe të bëja art. Konkurrenca për mendimin tim nuk bën asgjë të keqe. Është ajo që zhvillon çdo sektor dhe jo vetëm muzikën. Vë në lëvizje mendjen dhe aftësitë e njeriut për të treguar veten. Por kur ajo kalon në anën negative, nuk sjell zhvillim, por konflikte. Nuk besoj se duhet eliminuar dikush nga jeta artistike. Ne të rinjtë nga të vjetrit mësojmë shumë gjëra. Shumë herë shohim dhe nga eksperiencat e të tjerëve nëpër botë që pas ca kohësh kur ato nuk këndojnë më, marrin përsipër talent të ri, i përgatisin, bëhen me pak fjalë tutorë të këngëtarëve të rinj. Kjo gjë duhet të merret në konsideratë dhe në Shqipëri. Talenti dhe aparenca shkojnë bashkë. Aparenca tregon sa vetëbesim dhe siguri ke për personin tënd, sidomos kur je në skenë. Fundja estetika ndikon shumë në syrin e njeriut, është gjëja e parë që dikush vëren, por talenti është ai që vë vulën e një artisti të kompletuar”, kështu e përfundon bisedën këngëtarja e re, Evi Reçi.   Enca Haxhia ”Janë bërë 9 vite që kur preka skenën për herë të parë dhe vendosa të mos ndahesha prej saj, por kam vetëm një vit si këngëtare për tregun muzikor ku jam prezantuar me këngët e mia origjinale. Kam punuar dhe punoj shumë, kam kaluar disa eksperienca të vlefshme, kam pasur disa pengesa të vogla, por fatmirësisht po shkon siç e kam planifikuar. Ajo që më ka sjellë deri këtu është pasioni pa fund që kam për muzikën, dëshira për të ndarë ndjesitë e mia me të tjerët, kënaqësia që marr nga kjo gjë, më pëlqen lodhja, puna e gjatë, ditët pa gjumë, streset dhe sidomos ai momenti ku pas gjithë këtyre ke bërë ndonjë gjë të bukur. Konkurenca më ka motivuar edhe më shumë. Mendoj se ka ardhur koha që kompeticionet muzikore në përgjithësi të fokusohen më shumë te të rinjtë. Ka shumë talentë të reja, të cilat kanë nevojë për pak hapësirë dhe mbështetje. Artistët e vjetër janë pa dyshim të shtrenjtë, por s’duhet të bëhen pengesë për rrugën e të rinjve. Ka shumë faktorë që të bëjnë artist të kompletuar. Aparenca nuk është kryesorja, por nuk duhet të mungojë asnjëherë”. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›