“Keni lënë pa gjumë narkoshtetin”/ Sali Berisha shpërthen pas rizgjedhjes në krye të PD

Berisha pas rikonfirmimit në krye të PD: Me votën tuaj keni lënë pa gjumë Edi Ramën dhe narkoshtetin
Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e parë pas rikonfirmimit në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë, ku falënderoi demokratët për votëbesimin masiv dhe e cilësoi procesin si më të rëndësishmin në karrierën e tij politike.
Berisha shprehu mirënjohje edhe për ata që votuan kundër apo abstenuan, duke deklaruar se vota e tyre do të merret në konsideratë si reflektim për përmirësim të mëtejshëm të partisë.
“Jemi një familje e mbrujtur në palcë me diversitetin dhe standardin demokratik”, deklaroi ai para mbështetësve në selinë blu.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar qeverinë si “diktaturë të dytë” dhe “narkoshtet”. Sipas Berishës, votimi i sotëm tregoi se opozita është “më e fortë se kurrë” dhe e vendosur për të përmbysur qeverinë.
“Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe mafien e fjalës së lirë”, u shpreh Berisha.
Ai e mbylli fjalimin me thirrje për fitore dhe me premtimin për një PD të “ripërtërirë dhe të modernizuar”, ndërsa mbështetësit e pritën me brohoritje dhe fishekzjarre në oborrin e selisë së Partia Demokratike e Shqipërisë.