E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqkuptimi i Kanunit

Në televizionin gjerman ARD ditë më parë u dha filmi dokumentar i regjisorit gjerman, Marc Wiese, “Të përndjekurit - Pushimi nga Gjakmarrja”. Temë e filmit është ligji arkaik i hakmarrjes në veri të Shqipërisë. Megjithëse për gjermanët kjo nuk është temë e panjohur, filmi nxori në pah disa keqkuptime që të rinjtë gjermanë ende i kanë për këtë “zakon” shqiptar.

Kamera qëndron për një moment mbi fytyrën e një njeriu të moshuar.

“Nuk ka pajtim, nuk ka mëshirë”, dëgjohen fjalët e ftohta, të hidhura dhe aspak njerëzore të plakut.

“Është thënë gjithçka që duhej të thuhej”, shton ai në vazhdim.

Këto dy fjali nuk janë shkëputur nga ndonjë film aksion, e as nuk thuhen në ndonjë zonë të luftës. Ato thuhen në një qytet verior të Shqipërisë, në Shkodër, gjegjësisht në filmin dokumetar “Të Përndjekurit – Pushimi nga Gjakmarrja” (Rückschau: Die Gejagten).

Skenari i këtij filmi mund të gjendet edhe në internet.

... “E veçanta e këtij vendi (Shkodrës) është se me qindra familje ende jetojnë në gjakmarrje”, thuhet, mes tjerash, në narracionin e filmit...

“Nëse dal nga kjo derë, mbi mua do të qëllojnë gjakësit”, shprehet një djalosh. “Unë nuk e mbaj mend se kur kam qenë ndonjëherë i lirë”...

Ky është vetëm një fragment fare i shkurtër nga filmi dokumentar “Të Përndjekurit – Pushime nga Gjakmarrja”, i regjisorit Marc Wiese, i cili u shfaq këtë javë në kanalin televiziv gjerman ARD.

Në film Wiese ndjek rrugëtimin e një gruaja gjermane, e cila së bashku me tetë të rinj shqiptarë nga Shkodra ia mësyjnë Vatikanit, e pastaj edhe Gjermanisë. Gruaja në fjalë është një murgeshë gjermane. Quhet Christina Farber, dhe ka 15 vjet që jeton në Shkodër.

Ishte ky një guxim i madh, dhe një udhëtim i paimagjinueshëm, sepse tetë të rinjtë shqiptarë që shfaqen në film nuk janë të rinj të zakonshëm. Ata janë tetë të rinj që të vetmen gjë që kanë parë deri atëherë në jetën e tyre ishin peizazhet e hirta, që dukeshin nga dritaret e dhomave të tyre të gjumit, diku në kullat e ngujimit në veri të Shqipërisë.

Mundohuni ta imagjinoni pak këtë: njëri nga ta (që është vënë në qendër të reportazhit/udhëtimit të Wiese) është një djalë i ri rreth të njëzetave, me emrin Kristian. Deri në këtë rrugëtim, ishin bërë 18 vjet që Kristiani s’kishte dalë kurrë nga shtëpia e tij. Që nga koha kur ishte foshnje, ai kishte qenë “në gjak”.

Të udhëhequr nga Christina, tetë të rinjtë shqiptarë u betuan në një kishë katolike se do të hiqnin dorë nga dhuna, ndërkohë që papës ia lanë një letër, ku u nënshkruan se në vend të Kanunit, tash te tutje Bibla do të jetë përmbajtja e jetës së tyre...

Por, ajo që të bën më së shumti përshtypje në film është reagimi i bashkëmoshatarëve gjermanë ndaj grupit të tetë shqiptarëve të rinj (ngase, shqiptarët e rinj vizituan shumë shkolla e komuna gjermane, për të rrëfyer se si dukej jeta e tyre nën gjakmarrje). Për nxënësit gjermanë ishte befasuese që Kanuni kishte të bënte me të krishterë, si Kristiani. Kjo për arsye se, edhe pse kishin dëgjuar për gjakmarrjen shqiptare, pyetja e parë që zakonisht bënin ishte kjo: “Epo mirë, por kjo gjakmarrja juaj... a nuk është ky një zakon mysliman?”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›