E Shtunë, 31 Tetor 2026

Giggs lavdëron ekipin e ri

Ryan Giggs beson se lojtarët e rinj të Britanisë së Madhe kanë të ardhme të ndritshme përpara tyre, përkundër eliminimit nga Olimpiada 2012, pas humbjes nga Koreja e Jugut.

Ekipi britanik humbi 5-4 pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa ndeshja e rregullt dhe loja shtesë kishin përfunduar baras 1:1. Daniel Sturridge ishte njeriu më i pafat i ndeshjes, pasi që gjuajtja e tij nga 11 metërshi u ndal nga portieri kundërshtar në Millennium Stadium të Cardiffit.

Humbja e sheh ekipin e Stuart Pearce duke u eliminuar nga çerekfinalja, mirëpo kapiteni Giggs, i cili u fut në lojë më vonë si zëvendësues, beson se ishte pozitive, por zhgënjyese, kampanja për ekipin.

“Natyrisht, është zhgënjyese. Së fundmi nuk ishim të mirë sa duhet. Ata ishin më mirë të organizuar dhe i bënë punët e vështira për ne që ta bëjmë lojën tonë. Sidoqoftë, ishte një eksperiencë fantastike, të cilën e ka shijuar secili lojtar dhe stafi. Ishte kënaqësi të luash me disa lojtarë të rinj të talentuar. Disa i njihja, disa jo, por kishte talentë të shumtë në zhveshtoren”, deklaroi futbollisti uellsian.

“Shpresoj që ata të rikthehen në klubet e tyre dhe të kenë sezon pozitiv. Ata e meritojnë këtë, sepse qëndrimi i tyre ka qenë brilant. Ishte kënaqësi dhe nder të luaja me ta, të jem përreth tyre dhe të ushtroj me ta”, përfundoi veterani i Manchester Unitedit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›