E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqshfrytëzimi i pasurive natyrore

Investitorët e përzgjedhur nuk kanë pasur kredibilitet teknologjik, nxjerrja e pasurive tona natyrore po bëhet në mënyrë deri edhe barbare ndërsa dëmtimi i burimeve potenciale është rritur. Në të ardhmen kostoja për të shfrytëzuar pjesën e mbetur të pasurive, do të kërkojë më shumë investime

Arben MALAJ

Politikat e privatizimit apo aplikimi i partneritetit të sektorit publik me sektorin privat, në thelbin e tyre nuk janë politika buxhetore. Nuk duhet të synohet të shesim pasuritë natyrore për të arkëtuar disa fonde të cilat shpesh keqpërdoren për politika buxhetore populiste. Duke qenë në thelb politika zhvillimi, koncensionet  duhet të synojnë të përfshijnë pasuritë natyrore në qarkullimin ekonomik të vendit, të rrisin efikasitetin e përdorimit të burimeve tona natyrore, të rritet prodhimi, eksporti dhe punësimi, duke i dhënë një mbështetje të mirë rritjes sonë ekonomike. Objektivat për modernizimin e sektorëve të privatizuar apo dhënë me koncension, rritja e  vendeve të punës, përmirësimi i raporteve me ambientin, rritja e eksporteve të përpunuara, mund ti realizojnë  vetëm kompani që kanë kredibilitet teknologjik dhe financiar. E kundërta ka prekur një pjesë të nxjerrjes së pasurive tona natyrore. Investitorët e përzgjedhur nuk kanë pasur kredibilitet teknologjik, nxjerrja e pasurive tona natyrore po bëhet në mënyrë deri edhe barbare ndërsa dëmtimi i burimeve potenciale është rritur. Në të ardhmen kostoja për të shfrytëzuar pjesën e mbetur të pasurive, do të kërkojë më shumë investime dhe mund të dekurajojë interesin e investitorëve. Kjo rrezikon të nxjerrë jashtë qarkullimit një pjesë jo të vogël të pasurive tona natyrore, siç  konstatohet sot në nxjerrjen e kromit. Firmat private të cilat zotërojnë licenca koncensionsh, por që nuk kanë kapacitete teknologjike dhe  burime financiare, jo vetëm që vonojnë investimet, por duan fitime abuzive nga shfrytëzimi agresiv i pasurive natyrore  duke i dëmtuar rëndë ato. Në situatën e krijuar duhet të  rritet  kontrolli shtetëror ndaj investimeve dhe shfrytëzimit të këtyre pasurive. Eliminimi i problemeve kërkon bashkëpunim dhe riskedulim  për kompanitë serioze të cilat janë prekur nga kriza dhe vështirësitë e financimit dhe kanë vonesa në përfundimin e investimeve. Kompanitë që nuk i kanë përdorur  licencat ose që kanë vonesa të pashpresa në realizmin e tyre, duhet tu hiqen këto licenca koncensionesh. Ato duhet të ofrohen me garë të hapur për kompani serioze. Në këtë moment mund të shikohen politika mbështetëse për kompani që mund të ofrojnë cikël të mbyllur të nxjerrjes dhe përpunimit të pasurive tona, duke përmirësuar shfrytëzimin e tyre, duke mos dëmtuar rezervat e mbetura dhe duke rritur vlerën e shtuar të pasurive tona.  Kjo rrit përfitimet sociale sepse krijon më shumë vende pune, rrit përfitimet ekonomike pasi krijon një vlerë të shtuar më të madhe në ekonominë tonë. Është koha të diskutohet dhe synohet një sistem taksimi më i mirë për pasuritë tona natyrore, që nuk do të jenë pafundësisht të shterueshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›