E Premte, 6 Nëntor 2026

Kërcënimet kibernetike dhe keqinformimi, Rama: Akademi digjitale ose fizike pranë Kolegjit të Europës në Tiranë

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rajoni duhet të jetë pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe keqinformimeve.

Në fjalën e tij, në samitin rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE për ecurinë pozitive të Planit të Ri të Rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij, Rama theksoi se lidhur me këtë ka propozuar për të ngritur Akademinë përkatëse, duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për Studimet Europiane.

“Duhet ta bëjmë pjesëmarrjen tonë në politikën e jashtme të sigurisë më të dukshme. Duhet të jemi pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike sa i takon keqinformimit, e kështu me radhë”, vuri në dukje ai.

Nga ana tjetër, theksoi kryeministri, na duhet të transformojmë dijet e tregut të përbashkët, sepse vuri në dukje ai, ka shumë pak dije që lidhen me këtë fushë në Ballkanin Perëndimor.

“Është në përputhje me fokusin tonë kombëtar e rajonal për zhvillimin e kapitalit njerëzor në bazë të të cilës, ne kemi dhënë propozimin për të ngritur Akadaminë përkatëse duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për Studimet Europiane. E shoh mjaft të përshtatshëm dhe aspak të vështirë që të kemi një Akademi të tillë, qoftë kjo dixhitale apo fizike, që të jetë e atashuar me Kolegjin e Europës në Kampusin e Tiranës. Kjo do t’i shërbejë qëllimit për ta bërë më të lehtë dhe gjithpërfshirës transforminn e njohurive”, deklaroi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›