Kërcënohet Maguire: Të kemi vendosur një bombë në shtëpi

Orë frike për kapitenin e Manchester United, Harry Maguire. Mbrojtësi i Kombëtares ka marrë një email kërcënues, i cili i është dukur menjëherë shumë serioz, në të cilin shkruhej qartë se në shtëpinë e tij ishte vendosur një mjet shpërthyes, aty ku jeton me partneren Fern Hawkins dhe dy vajzat e tyre. Nisur nga ashpërsia e kërcënimeve, policia është vënë në alarm dhe ka shkuar në vendngjarje me njësinë e qenve, në kërkim për lëndë plasëse.
Lojtarët e Manchester Utd janë pushtuar nga vala e pakënaqësisë së tifozëve për rezultatet e dobëta të arritura në Premier League. Pas 4-0 të pësuar në Anfield, tensioni ka tejkaluar, duke kulmuar në këtë episod fatkeq. “Djajtë e Kuq” kanë bërë të ditur se mbrojtësi, do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat dhe se nuk do të jepen detaje të mëtejshme për këtë çështje.