Kercenohet deshmitari

TIRANË – Ziso Kristopulli, dëshmitari kryesor i dosjes “Remzi Hoxha”, merret në mbrojtje nga ana e strukturave policore. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas këtyre burimeve, Kristopulli, i cili në fakt kishte kërkuar që të hynte në listën e dëshmitarëve të marrë në mbrojtje që përpara se të ridërgohej në gjykatë dosja për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, u mor në mbrojtje nga ana e strukturave të seksionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Ziso Kristopulli, që u rrëmbye së bashku me Remzi Hoxhën dhe Abdyl (Armando) Loshajn në tetor të 1995, është ende dëshmitari kryesor i procesit të sapohapur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kundër katër ish-punonjësve të SHIK-ut të asaj kohe: Arben Sefgjinit, Avni Koldashit, Budion Meçës dhe Ilir Kumbaros. Dëshmia e 61-vjeçarit Kristopulli, banues në Ksamil, do të jetë akoma guri më i fortë i prokurorisë në procesin e sapohapur, kundër ish-punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar. Ziso Kristopulli është “rrëmbyer” disa ditë para Remzi Hoxhës, në Ksamil të Sarandës, nga disa “punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Në datën 18 tetor, nga Ksamili ai e ka parë veten në Vain të Lezhës, ku disa ditë më vonë u dërgua dhe Remzi Hoxha e Abdyl (Armando Loshaj). Një fakt i tillë u pranua edhe pak ditë më parë në një intervistë ekskluzive për “Korrierin” nga ana ish-shefit të bazës së vëzhgimit nr. 10 në Tiranë, Avni Koldashi, i cili pohoi publikisht se Kristopulli dhe Remzi Hoxha ishin shoqëruar prej tij, pas urdhrit të marrë nga shefat e tij. Në procesin e parë kundër Sefgjinit, Koldashit, Meçes dhe Kumbaros, Ziso Kristopulli pati dëshmuar ditët e tij të ferrit në Vain, ku ai deklaroi se ishte lidhur me tel në një krevat, ku më pas ishte torturuar, duke e goditur me shkopinj në këmbë e trup, derisa pranoi se ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja dhe se në bashkëpunim Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxhën kishin sjellë nga jashtë armë të llojeve të ndryshme. Nën trysninë e torturave fizike dhe psikike, Kristopulli pati deklaruar se kishte nënshkruar çdo gjë që i ishte kërkuar, duke përfshirë jo vetëm veten, por edhe Hoxhën e Loshajn në trafikun e armëve. Pesë ditë pas rrëmbimit të tij Kristopulli u lirua, por ndërkohë ai kishte dëgjuar ulërimat e stërzgjatura të Remzi Hoxhës, shqiptaro-maqedonasit që kishte marrë në qafë me deklarimet e rrema të nënshkruara përdhunshëm.
Fakti që Ziso Kristopulli ka kërkuar vetë më parë që të ketë mbrojtje shtetërore, provohet edhe në raportin e fundit të Avokatit të Popullit. Sipas këtij raporti për vitin 2007, shtetas të ndryshëm, të cilët kanë qenë dëshmitarë kryesorë në çështje të rëndësishme me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, kanë kërkuar ndërhyrjen e Institucionit të Avokatit të Popullit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim marrjen e masave për mbrojtjen e dëshmitarit. “Të tilla janë rastet e ankesave të shtetasve O. L., e dëmtuar nga vepra penale lidhur me ngjarjen e ndodhur në repartin ushtarak të Bisht Pallës, Durrës. Si rezultat i kallëzimit të saj janë çuar në gjyq dhe dënuar disa autorë të veprës penale. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, mbi shqetësimin e të dëmtuarës i dërgoi materialet Prokurorisë së Përgjithshme për zbatimin e ligjit nr. 9205, datë 15.03.2004, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”; ankesa e shtetasit Z. K. (Ziso Kristopulli) nga Saranda, si dëshmitar kryesor në zhdukjen e shtetasit kosovar R. H. (Remzi Hoxha), për të cilin nuk është kthyer përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme”. Më tej, po në raportin vjetor të Avokatit të Popullit listohet edhe rasti i shtetasi I. R. nga Tropoja, dëshmitar kryesor në procedimin penal për veprën penale të vjedhjes me armë, ngjarje e ndodhur në muajin nëntor të vitit 2003, i cili ka kërkuar mbrojtje nga ana e zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve, si dhe rasti i shtetasit me iniciale R. C. nga Shkodra, i cili ka kërkuar ndërhyrjen pranë organeve kompetente, me qëllim sigurimin e jetës së tij dhe familjes, pasi kërcënohet nga persona të dënuar në një procedim penal ku ka qenë i pandehur dhe djali i tij A. C., për veprën penale të “vrasjes me paramendim”.