Shkarkohet drejtori qe futi prostituta ne burg

BURREL - Edhe pse ish-drejtori i burgut të Burrelit, Hazis Duka, përflitet se është shkarkuar me “ceremoni”, zyrtarët e lartë të burgjeve e kanë mbajtur sekret largimin e tij nga sistemi i burgjeve shqiptare. Publikimi nga gazeta “Korrieri” i shumë fakteve rreth shkeljeve ligjore të tij, gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të burgut, si dhe hetimet intensive të Prokurorisë së Matit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve kanë konstatuar se për shkak të abuzimeve të shumta në qelitë e këtij burgu, që nga prostitucioni e deri tek abuzimi me tenderët, Hazis Duka duhej larguar nga detyra e kreut të burgut të Burrelit, për t’u emëruar më pas si shef i edukimit në po këtë burg. Burime pranë burgut të Burrelit thonë se Duka është shkarkuar për shpërdorim detyre. Ndërkohë, nga ana e tyre, zyrtarët e burgjeve nuk pohojnë publikisht se mbi ish-drejtorin rëndojnë të tjera akuza të rënda, ndërsa ai vetë thotë për “Korrierin”, se gjithçka që flitet lart e poshtë është e pavërtetë. Në lidhje me shkarkimin e tij, ai tha dje se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
Prostituta të mitura në qeli
Burime të rezervuara sqarojnë se, që prej fillimit të tij të mbajtjes së detyrës si drejtor në janar 2006-ës e deri në prill 2007, kur Duka u shkarkua, janë vërejtur abuzime me detyrën. “Futja e vajzave të mitura në burgun e sigurisë së lartë dhe krijimi i mundësive për ushtrim prostitucioni me të dënuar, të cilët nuk kishin kurrfarë lidhje ligjore, është kryer me dijeninë dhe urdhrat e Dukës”, thonë punonjës të administratës së këtij burgu. Por nuk mbaron me kaq. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dyshon se gjatë ushtrimit të detyrës, ish-drejtori Duka ka abuzuar me fondet e dhënë për përmirësimin e kushteve të të dënuarve, ka punësuar në këtë institucion njerëz që nuk kanë plotësuar kushtet e kontratës, ka liruar nga detyra padrejtësisht specialistë të sektorit të burgjeve etj. Madje, edhe gjatë kohës që burgun e Burrelit e drejtonin pasardhësit e tij, Shyqyri Dushku e Eduard Brahilika, Duka ka pasur dijeni të plotë rreth aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit që ushtrohej në këtë burg.
Revolta
Ndërkaq, jo zyrtarisht, por sipas gardianëve të burgut të Burrelit mësohet se Duka është larguar nga detyra edhe për faktin se disa ditë pas rebelimit të të dënuarve, ai ka rrëmbyer bluzën e gjakosur të një të burgosuri dhe ua ka dërguar atë drejtuesve të lartë të burgjeve shqiptare, duke u ankuar se të burgosurit janë rrahur. Gardianët thonë se kjo është bërë me qëllim që eprorët aktualë të shkarkoheshin. “E kanë rrahur gardianët dhe e kanë lënë për vdekje”, thonë se është shprehur para drejtuesve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Duka, duke u treguar bluzën e gjakosur të të burgosurit. E megjithatë, deklarata e ish-drejtorit nuk është lënë pa u vlerësuar, pasi në burgun e Burrelit u dërguan specialistë për të hetuar. Prokuroria e Rrethit Mat nuk ka sqaruar ende nëse Duka do të ndiqet penalisht për shkeljet e kryera, por çështja e shkeljes së procedurave të takimeve speciale është në duart e drejtësisë.
“Nuk ka pasur kurrë prostitucion”
Në një prononcim për “Korrierin”, ish-drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, Hazis Duka, theksoi se as që nuk bëhet fjalë që në qeli të jenë futur femra që nuk kanë pasur lidhje me të dënuarit, e aq më tepër të mitura.
-Zoti Duka, a ka pasur prostitucion në burg?
“Nuk i kuptoj deklaratat mediatike të pasakta në lidhje me këtë çështje. Është absolutisht e pavërtetë që në qeli të jenë lejuar të futen femra që nuk kanë pasur lidhje me të burgosurit”.
-Por gjatë kohës që postin e drejtorit e mbanit ju, zoti Duka, ka të dhëna që flasin për precedentë të tillë...
“Më vjen shumë keq për këtë. Nuk e di ku e bazoni ju këtë fakt, pasi nuk është fare e vërtetë”.
-Gazeta ka publikuar dëshmi të qarta, se vendimi për t’u futur në burg vajza të mitura, edhe gjatë kohës që ju keni qenë në detyrë, ka dalë nga gjykata, cili është komenti juaj?
“E theksoj edhe njëherë se nuk është fare e vërtetë, pasi gjatë kohës që unë kam qenë drejtor gjithçka është kryer konform ligjit”.
-Po transferimi juaj në një detyrë tjetër, saktësisht në atë të shefit të edukimit, e më pas shkarkimi përfundimtar i pak ditëve më parë, me çfarë motivacioni u krye?
“Më kanë shkarkuar pa motivacion fare. Madje për këtë arsye unë i jam drejtuar gjykatës me një kërkesëpadi dy ditë më parë, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet në rrugë ligjore”.
-Nëse çështja e abuzimeve në burg do të çojë në ndjekje penale disa persona, ç’mendim keni ju?
“Nuk e besoj të ndodhë diçka e tillë, pasi në Burgun e Sigurisë së Lartë të Burrelit nuk ka pasur shkelje”.