E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet me plumb aktivistja e Vetëvendosjes!

Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Nazlie Balaj, dje ka marrë një letër kërcënuese në derën e banesës së saj, ku i thuhet "të mos mbrojë turpin, se e pret plumbi". 

Ky kërcënim vjen disa ditë pas paraqitjes në emisionin e RTK-së ‘"Në kërkim" ku tema e trajtuar ka pasur të bëjë me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre si dhe me rastet e dhunës tanimë të dëshmuara dhe të mbledhura nga ajo dhe aktiviste të tjera.

Sipas VV-së mesazhi kërcënues i kësaj letre ka për qëllim frikësimin e gjithë atyre që kanë ngritur zërin për këtë temë me këtë çështje dhe heshtjen e krimeve të Serbisë.

“Këto kërcënime nuk do të na ndalin në përpjekjet tona për ta shtyrë çështjen përpara derisa kjo kategori e ndjeshme të trajtohet institucionalisht dhe të përfitojë të gjitha të drejtat dhe beneficionet nga ligji në fjalë. Futja e kategorisë së personave të dhunuar gjatë luftës në ligj, do të kontribuonte në rehabilitimin e këtyre viktimave dhe do t’ua mundësonte qasjen në drejtësi.
Prandaj, kushdo që ka kryer këtë akt të shëmtuar të kërcënimit është dashakeqës ndaj kësaj kategorie dhe i kontribuon drejtpërdrejt fshehjes së krimeve ndaj popullatës civile”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje qytetarëve në përgjithësi, aktivistëve të të drejtave të njeriut që të vazhdojmë pa u ndalur rrugën e përbashkët për gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›