E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënoi me armë vëllanë për pronën, parandalohet krimi në Vlorë, arrestohet 47-vjeçari

Një konflikt mes dy vëllezërve për motive pronësie, është parandaluar nga Policia në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, efektivët e Vlorës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar në flagrancë 47-vjeçari me inicialet J. T., i cili dyshohet se ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij.

Gjatë ndërhyrjes, Policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë, 2 krehra dhe 30 fishekë. 47-vjeçari rezulton me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Njoftimi i plotë:

Vlorë/ Finalizohet operacioni i koduar “Lidhja”. Parandalohet përshkallëzimi i konfliktit me armë, për motive pronësie, mes dy vëllezërve në lagjen “Uji i Ftohtë”.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, vihet në pranga 47-vjeçari me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, me 2 krehra dhe 30 fishekë. Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në një familje në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përfshirjen në këtë konflikt.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Lidhja”, u parandaluan ngjarje kriminale në këtë familje, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 47 vjeç, pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri vëllanë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›